Raporti Evropian mbi të drejtat LGBT në arsim: Shqipëria mbetet një vend refuzues
Aleanca Globale për Edukimin e Komunitetit LGBTI (GALE) ka publikuar së fundmi një raport për Europën, të fokusuar në implementimin e të drejtës në arsim dhe edukim për studentët LGBTI+ (ose sipas terminologjisë së përdorur në studim: persona të disavantazhuar për shkak të shprehjes së identitetit gjinor dhe seksualitetit të tyre).
Raporti është i pasur me raportime specifike për gjendjen socio-ligjore të 48 shteteve në fushën e edukimit për komunitetin LGBTI+ , duke pasqyruar punën disa vjeçare kërkimore nga GALE në bashkëpunim me 300 ekspertë dhe kontribues lokal në raport.
Të dhënat empirike i ndajnë shtetet në tre kategori kryesore:
- shtete mbështetëse,
- shtete ambigue (pra as mbështetëse, as refuzuese)
- shtete refuzuese ndaj konsensusit ndërkombëtar për të drejtën e edukimit, ose nëse shteti mbetet indiferent ndaj kësaj çështjeje
Nga të dhënat e nxjerra del se rreth 1/3 e shteteve (15) u kategorizuan si mbështetëse ndërsa shumë shtete të tjera u cilësuan si refuzuese (17) ndaj edukimit të personave LGBTI+.
Autori i raportit në fjalë, Peter Dankmeijer shprehet: “Zhvillimi dhe përmirësimi i edukimit nuk janë të ndara nga zhvillimet politike dhe sociale. Shkollat janë vendet ku të rinjtë përgatiten për jetën. Disa autoritete po nxisin ndjenjat e urrejtjes dhe frikës, një lloj mentaliteti ky që po përhapet dhe brenda Bashkimit Europian. Për Këshillin dhe Bashkimin Europian mbeten detyra të rëndësishme ndalimi i kësaj fryme intolerance”.
Pikët finale të dhëna për secilin shtet erdhën duke studiuar kombinimin e kontekstit ligjor me impaktin social të tyre. Sipas komenteve të raportit, një numër i madh shtetesh hartojnë ligje nën presionin e ndërkombëtarëve, por ekziston një mungesë vullneti qeveritar për ti implementuar ato.
Si renditet Shqipëria në këtë raport?
Në raportin për Shqipërinë, një total prej 38% u dha si vlerësim për sektorin arsimor kundrejt studentëve LGBT, duke e kategorizuar në fashën e tretë të shteteve refuzuese, duke lënë pas Maqedoninë me 29% e cila është vendi me performancën më të dobët për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket vendeve të tjera, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina ndajnë pikë të njëjta me Shqipërinë (38%), kurse Mali i Zi gëzon performancën më të mirë mes këtyre vendeve duke marrë vlerësimin prej 40%. Vlen të theksohet mungesa e Kosovës si pjesëmarrëse në këtë raport.
Analiza specifike për Shqipërinë u fokusua në aspektin ligjor:
Që prej 2010, situata ligjore në Shqipëri ka ndryshuar progresivisht. Por ky progres mungon në aspektin social. Sidomos në Veri dhe në Jug të Shqipërisë, më shumë se gjysma e popullsisë mendojnë negativisht për martesat brenda së njëjtës gjini. Shqipëria e ka ratifikuar Protokollin me numër 12 të Konventës Europiane për Mbrojten e të Drejtave Njerëzore dhe Lirive fundamentale, për më tepër Shqipëria nënshkroi Deklaratën e vitit 2017 nga Kombet e Bashkuara për orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Më poshtë mund të aksesoni raportin e detajuar për Shqipërinë:
“Mungesa e implementimit të ligjeve përbën një problem madhor në Shqipëri” shprehet Kristi Pinderi një prej kontribuesve
lokalë nga Shqipëria për këtë raport (Themelues i organizatës “Pro-LGBT”).
“Bashkëpunimi me shkollat ka qenë tabu, pasi mbeten shumë hermetike dhe të duhet një kontakt ose i njohur në mënyrë që të fitosh akses për të zhvilluar ndonjë program mbështetës për LGBTI. Vështirësia më e madhe ka qenë në shkollat e mesme, teksa në universitete ka qenë më e lehtë për të organizuar leksione të hapura (në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Durrës). Çfarë e shohim si sfidë të vërtetë është bullizmi, sidomos për personat që perceptohen si gej ose lezbike”.
Pavarësisht progresit legjislativ, popullsia në Shqipëri mbetet konservatore. Rreth 54% e saj mendon se homoseksualiteti është i gabuar dhe se homoseksualët nuk duhet të lejohen ta jetojnë jetën siç duan. Në 2012 “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT”, dy organizata që promovojnë të drejtat e komunitetit LGBT shprehën njëzëri zhgënjimin e tyre për atë çfarë e quajtën punë e dobët dhe jo-profesionale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Qëllimi final i këtij raporti është të ofrojë informacion dhe rekomandime për të përmirësuar gjendjen e sektorit të edukimit dhe arsimimit, kjo nëpërmjet dialogut midis palëve të interesuara: aktivistëve LGBTIQ+, profesionistëve në fushën e edukimit dhe zyrtarëve në qeveri të përgjegjshëm për politikat e arsimit./k.m/