Rama përsërit thirrjet për dialog, studentët të vendosur për pikat e tyre
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/12/47687089_10213216831564059_5632822816698007552_o-960x640.jpg)
Gjatë zhvillimeve të punimeve të Parlamentit, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Nikolla iu drejtuan studentëve nga foltorja e Kuvendit.
Ministrja Nikolla deklaroi se është e gatshme të pranojë të gjithë përgjegjësitë. Ajo nxiti studentët të pranojnë dialogun. Ndërkohë dhe kryeministri Rama në fjalimin e tij, pranoi gjithashtu protestën si një shuplakë ndaj qeverisë dhe u bëri thirrje studentëve të mos mbajnë peng 8 pikat e kërkuara dhe të ulen për dialog.
Studentët protestues janë të vendosur për të refuzuar dialogun dhe kanë deklaruar shpesh herë që sot janë më të bashkuar se kurrë. Në disa prej fjalimeve të tyre, përmendet dhe shembulli i Bashkimit Europian, ku nuk ka dialog pa kushte.
Sot në Kuvend u rikthyen dhe disa deuputetë të opozitës, të cilët paraqitën amendamente për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Amendamentet nuk u futën në rend të ditës, pasi mazhoranca votoi kundër tyre dhe njëkohësisht kundër amendamentit për ndryshimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
“S’ka dialog, ose këto pika bëhen ose jo. Do vendosim të përshkallëzojmë protestën. Do flasim me studentët e tjerë dhe do vendosim ca do bëjmë”, është shprehur një student nga protesta. Sot në protestë u ngritën dhe problematikat e studentëve me aftësi të kufizuar dhe u bënë thirrje të vazhdueshme për vetting të pedagogëve e për hetimin e rasteve të plagjaturës.
Ish zëvëndës ministri i Arsimit, Taulant Muka adresoi sërish studentët në protestë duke i nxitur pedagogët të deklarojnë dakordësinë e tyre për vetting dhe për hetimin e pasurive.
Situata mbetet ende e paqartë mbi zhvillimin e protestës. Studentët ende s’kanë vendosur nëse do të vazhdojnë protestën para parlamentit ose nëse do të shpërndahen drejt Ministrisë së Arsimit apo Kryeministrisë. / k.j