Qendra “Res Publica” publikon raportin monitorues mbi Ligjin për të Drejtën e Informimit: “Ende shumë punë për tu bërë!”
Qendra “Res Publica” prezantoi raportin e monitorimit “E drejta e informimit 2018” mbi vlerësimin e punës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit si dhe mundësinë e qytetarëve për të aksesuar informacionin publik.
Ky projekt, i mbështetur nga Civil Rights Defenders, me fonde të Mbretërisë së Suedisë, monitoron mundësinë e qytetarëve për të aksesuar informacionet publike, si dhe në bërjen e një vlerësimi të punës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Nën sloganin “Informacioni i vonuar është informacion i mohuar”, ky studim pati dy bashkëautorët e raportit: Dorian Matlija dhe Irena Dule, ndërsa grupi i punës përbëhet prej Arbesa Kurti dhe Brunilda Qershori. Ky raport shënon vitin e katër që qendra “Res Publica” zhvillon një raport vlerësues mbi zbatimin e ligjit me nr. 146/2014, specifikisht ligji “Për të drejtën e informimit”.
Gjetjet e raportit:
Programet e transparencës
Një risi që solli ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ishte përshirja e një detyrimi të ri për autoritetet shtetërore që të publikonin disa lloje informacionesh pa pasur nevojë për të dorëzuar kërkesë me shkrim.
Nga monitorimi për 4 vite radhazi të 100 autoriteteve publike, ende konstatohen probleme në përmbushjen e programeve të transparencës. Nga mbledhja e këtyre të dhënave mund të shihet se ka një ndryshim të lehtë për vitin 2018, por megjithatë mbi 40% e këtyre institucioneve nuk kanë as faqe interneti, duke krijuar konfuzion tek publiku.
Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve
Neni 8 i ligjit për të drejtën e informimit parashikon mbajtjen e një regjistri të posaçëm ku pasqyrohen kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna. Kjo gjë lehtëson informimin në momentin që dikush tjetër ka shtruar të njëjtën kërkesë më parë, duke eleminuar nevojën për rishtrimin e po të njëjtës kërkesë.
Në raport theksohet gjendja alarmante ku institucionet që kanë plotësuar të gjitha kërkesat për regjistrin, mbetet në nivelin tërësisht të papranueshëm, prej 1%. Përveç Komisionerit për të Drejtën e Informimit, asnjë institucion tjetër nuk ka plotësuar kërkesat ligjore.
Caktimi i koordinatorëve për të drejtën e informimit
Caktimi i një koordinatori për të drejtën e informimit për çdo institucion dhe delegimi i përgjegjësisë tek një person bëhet për lehtësimin e procesit të aksesit në informacion.
Në këtë këndvështrim situata mbetet shqetësuese kur konstatohet se ende pas 4 vitesh nuk merren masa nga ana e institucioneve për caktimin e një koordinatori për të drejtën e informimit. Rrethg ¼ e insittucioneve ende nuk e kanë caktuar një koordinator për të drejtën e informimit në platformën publike të tyre.
Raporti vijon i thelluar mbi monitorimin e punës së bërë nga institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe sugjerime për të dyja palët (Komisioneri dhe institucionet publike) për një zbatim më adekuat të Ligjit për të Drejtën e Informimit.
/k.m/
Burimi: Raporti “E drejta e informimit 2018”