Produktet menstruale falas si nevojë

Fushata e ndërmarrë nga adoleshentja Amika George, nisi me qëllimin për të ndihmuar shoqet e klasës të cilat nuk kishin mundësi për produkte menstruale. Veprimtaria e frymëzuar prej idesë dashamirëse, bëri që fushata të pagëzohej me hashtagun #FreePeriods.
Ndërkohë edhe sondazhe të shumta të kryera gjatë vitit 2017 me mijëra gra dhe vajza të pyetura në Mbretërinë e Bashkuar, dëshmojnë se 10% e tyre nuk ishin në gjendje të përballonin produktet sanitare, 15% përpiqeshin t’i përballonin me vështirësi ato dhe 12% kanë treguar se i kanë sajuar vetë produktet e tyre sanitare.
Pasi fushata mori dhenë, në dhjetor të vitit 2017, më shumë se 2,000 njerëz iu bashkuan thirrjeve të Amikës dhe protestuan në Londrën qendrore në protestën e quajtur “Protesta e Periodave”, për t’u kërkuar politikbërësve të ofrojnë produkte sanitare falas për vajzat.
Dy vite më pas, Dikasteri i Arsimit vendosi që duke nisur nga viti shkollor 2019-2020, Anglia të ofrojë produkte sanitare falas për nxënëset e shkollave të mesme.
Në anën tjetër, në Shqipëri ende vazhdon të ngelet tabu të folurit në familje në lidhje me menstruacionet. Ende vazhdojnë të mbahen gjallë mitet se gjatë ditëve të ciklit gruaja është e pistë, duke mos u trajtuar si një proces fiziologjik dhe biologjik normal. Shumë vajza dëshmojnë se nëpër disa dyqane në Tiranë ende produktet sanitare për menstruacionet (lines), i mbështjellin me gazetë. Ato ende duhet të flasin në vesh, pa u mësuar prej të pranishmëve, që nëse iu kanë ardhur periodat të kërkojnë lines apo tamponë te shoqet e tyre. Ndërkohë, ende nëpër lokalet e kryqeytetit, veç letrave higjenike, nuk ofrohen produkte sanitare për vajzat me menstruacione.
Kësisoj, në një mjedis social si Shqipëria, ndonëse produktet sanitare për ciklin menstrual janë të shtrenjta dhe një pjesë e vajzave dhe grave detyrohen të gjejnë zgjidhje shtëpiake, së pari është i nevojshëm informimi në masë sa i përket procesit dhe normalizimit të gjuhës në publik. Në të kundërt, duke e trajtuar ende si ngjarje okulte, nuk i ndihmojmë vajzave të reja që adoleshencën ta përjetojnë normalisht së bashku me ndryshimet e tyre fizike. Nëpër kurrikulat shkollore, psikologët dhe mësuesit duhet ta trajtojnë çështjen të ndihmuar prej literaturave të përshtatshme në biologji dhe mbi të gjitha duke e diskutuar procesin e zhvillimit të meshkujve dhe femrave gjithnjë në prani të vajzave dhe djemve së bashku. Kultura nuk është turp.
Për t’u ditur: Skocia është i pari shtet i cili ndërmori politika për produkte sanitare falas. Në gusht të vitit 2018, ata ndanë 5.2 milionë dollarë për të ofruar produkte sanitare pa pagesë për studentët në shkolla, kolegje dhe universitete.
Ndërsa në mars të vitit 2019, “NHS England” që kujdeset për mirëqenien dhe shëndetin e popullsisë në Angli, njoftoi se do të ofronte produkte sanitare pa pagesë për personat që do të kishin nevojë për to.