“Pro-LGBT” organizon trajnimin për gazetarët/ Etika në media për çështjet LGBTI+
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/IMG_5011.jpg)
Organizata “Pro-LGBT” organizoi javën e kaluar trajnimin dy ditor “Etika në media” me fokusgrup gazetarët. Aktiviteti u implementua në kuadrin e projektit ” Promoting Rights, Inclusiveness, Dignity and Equality for LGBT in Albania project – PRIDE for LGBT in Albania” në bashkëpunim me organizatën IREX Europe dhe me mbështetjen e BE.
Trajnimi solli bashkë gazetarë të rinj si dhe individë të angazhuar në fushën e komunikimit për të mësuar më shumë rreth rolit të gazetarit në krijimin e realitetit social përmes raportimit për çështjet e të drejtave të njeriut, konkretisht për komunitetet e margjinalizuara që zor se gjejnë zërin e tyre në media.
Rëndësia e një aktiviteti të tillë vjen pas mungesës së hapësirës për komunitetet e margjinalizuara në linjën redaksionale të website-ve, gazetave apo media-ve të tjera dhe mungesa e kodit të etikës në redaksi duke sjellur mungesën e raportimit etik në çështje të të drejtave të njeriut.
Një prurje interesante tek pjesëmarrësit ishin dhe gazetarët nga rrethet. Duke qenë se aktivitete ndërgjegjësuese dhe trajnimet me gazetarët janë në të shumtën e rasteve të centralizuara në Tiranë, pjesëmarrja e gazetarëve që vijnë nga rrethet përbën një rëndësi të madhe.
Duhet parë me prioritet edhe se si këto module trajnimi që u zhvilluan gjatë trajnimit të mund të integrohen në modulet që studentët e gazetarisë marrin gjatë formimit të tyre profesional në auditore, pasi edhe kurrikulat ekzistuese në Fakultetin e Gazetarisë i përfshijnë shumë pak ose aspak, çështjet etike të mbulimit të të drejtave të njeriut apo çështjeve LGBTI+ në media.
/k.m/