Pezullohet mësimi në Kosovë, grevë e përgjithshme e institucioneve arsimore
Institucionet arsimore në Kosovë kanë nisur një grevë të përgjithshme që prej javës së shkuar, duke pezulluar procesin mësimor pa afat. Procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.
Kjo grevë është organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe kërkesa kryesore e grevistëve konsiston në rritjen e pagave për arsimtarët dhe përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore.
Rritja e pagave po kërkohet të realizohet përmes koeficientit të pagave, që pritet të rregullohet me Ligjin për pagat i cili aktualisht, në formën e projektligjit, është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Disa prindër dhe specialistë të arsimit kanë dalë kundër grevës dhe shqetësohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor në vazhdimësi. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës thotë se përgjegjësinë për humbjen e orëve të mësimit do duhej ta marrin qeveritarët. Ai thotë se greva nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesës për rritje pagash.
Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas sindikatës, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 deri në 3, që i bie të rrisë pagën mujore në shumën rreth 650 euro.
Kujtojmë se paralelisht me grevën në Kosovë, procesi mësimor në arsimin Universitar vazhdon i pezulluar dhe në Shqipëri, ku studentët refuzojnë të thyejnë bojkotin dhe zgjidhja duket ende larg./ k.j