Pedagogët takim me Shahinin, pritet vendim i ministrisë deri në mbrëmje, në të kundërt grevë
Një përfaqësi pedagogësh e universiteteve publike janë takuar ditën e sotme me Ministren e Arsimit Besa Shahini, në prag të afatit përfundimtar të vendosur ndaj qeverisë për zgjidhjen e problematikës së universiteteve.
Në takim ishin pjesëmarrës pedagogë të fakulteteve të ndryshme dhe takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Për gazetarët, pedagogu i gazetarisë Mark Marku tha se Shahini nuk reagoi për asnjë nga kërkesat e pedagogëve, drejtuar Ministrisë së Arsimit përmes një shkrese. Ai gjithashtu u shpreh se do t’i japin kohë deri në darkë Shahinit, më pas do vendosin për grevë.
“Ministrja e pamë që nuk po i përgjigjet gjendjes adekuate. Do presim deri në darkë, më pas do i drejtohemi trupës akademike për një greve të përgjithshme të pedagogëve.” deklaroi Marku në dalje nga godina e ministrisë.
Kujtojmë që data 1 shkurt u vendos në mbledhjen e asambleve të fakulteteve të universitetit të Tiranës si afati i fundit që ministria kishte për t’u përgjigjur kërkesave të pedagogëve. Vendimi i dalë nga mbledhja e asambleve të fakulteteve të Tiranës shprehu mbështetjen e studentëve, kundër ligjit për arsimin e lartë, rritjen e buxhetit për arsimin dhe shfuqizimin e vendimeve të fundit të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë që në Universitetin e Tiranës, disa fakultete vazhdojnë të bojkotojnë mësimin. /k.j