Nxënësit u dërgojnë kartolinë Peleshit e Nikollës: “Faleminderit që nuk na vizituat kurrë në 10 muaj”
Më 7 mars të këtij viti, Kryeministri Edi Rama lançoi iniciativën e marrjes në patronazh të një shkolle për çdo anëtar të qeverisë.
Kryeministri, ministria e arsimit Lindita Nikolla dhe zv/kryeministri Niko Peleshi morën nga dy shkolla në patronazh. Nxënësit e shkollës “Andon Zako Çajupi” Tiranë dhe “Raqi Qirinxhi” u kanë drejtuar një kartolinë falenderimi kujdestarëve të tyrë Lindita Nikolla dhe Niko Peleshi.
Në letrën e cila përmban në çdo rresht të saj nota ironie, “falenderohen” dy anëtaret e qeverisë, të cilët gjatë 10 muajve as nuk i kanë vizituar asnjëherë shkollat. Studentët u kujtojnë se nëse ndonjë ditë vijnë t’i takojnë, të marrin me vete xhupa e triko leshi, pasi klasat janë pa ngrohje.
Ndër problemet e tjera që ata ngrenë janë zhgënjimi për klasat dixhitale, mbingarkesa e shkollave, kushtet e ambjenteve sportive dhe mungesa e laboratorëve shkencorë.
Kartolina e nxënësve:
Në prag festash gjithkush kthen kokën pas për të parë se sa i realizuar është. Mund të themi se ju duhet të ndiheni mjaft krenarë për veten.
Keni përmbushur çdo detyrim në lidhje me punën tuaj, përfshini këtu edhe kujdestarinë për shkollat tona. Për këtë arsye kemi vendosur t’ju dërgojmë si dhuratë falënderimet tona si dhe një ftesë për të parë nga afër premtimet e mbajtura.
Përpara se të mundoheni për të na vizituar, ju këshillojmë që përveçse të vishni petkun e premtimbërësve, të jeni të pajisur me veshje të trasha e mundësisht të leshta, sepse sistemi i ngrohjes në shkollat tona nuk punon. Ju ndoshta nuk jeni në dijeni, sigurisht, sepse avulli i ngrohtë në zyrat tuaja ua ka mbuluar sytë, e me siguri ju ka “ngrirë” duart.
Kur të dëgjoni një orë mësimore, do mbeteni të habitur përsa i përket bashkëveprimit mes nxënësve. Sigurisht që në klasat e mbingarkuara, rritet bashkëpunimi midis nxënësve, të cilët janë të detyruar të rrinë treshe ose katërshe nëpër banka.
Ndihet një ngrohtësi vëllazërore madje dhe kur klasa ka provim! Ju falënderojmë për mungesën e laboratorit të kimisë, fizikës dhe të biologjisë. Pa pasur mundësi për të prekur provëza, shmangen kështu mundësitë dhe ndonjë lajthitje e çastit, për të shpërthyer bomba ose terror nga kërkuesit shkencorë.
Megjithatë, kemi prezencën e klasave Smart, për të cilat ju jemi mirënjohës. Gjatë vizitës do ndjeni nëpër ajër diskriminimin që u bëhet nxënësve të tjerë, por kjo nuk ka rëndësi përsa kohë në sytë e të tjerëve jemi dy shkolla me teknologji të përparuar.
Dëshirojmë t’ju ftojmë në palestrën e shkollës për të luajtur volejboll, basketboll, paçka se rrjetën e kemi të grisur dhe koshat janë veçse relike. Ndërsa futboll luajmë tek fushat e projekteve tuaja, por kujdes! Merrni masa të mbroni këmbët tuaja, sepse mund të vriteni nga asfalti, siç ndodh rëndom me ne nxënësit.
E bëjmë edhe një vizitë andej nga dhomat e akullta të zhveshjes, të pajisura me dyer vetëjrosëse, sepse mungojnë xhamat, kurse lagështia ka bërë punën e vet. “Piktori” natyral, myku, ka krijuar vepra arti frymëzuese dhe që na heq çdo ndjeshmëri negative për ambientet tona. Po sikur të zhvillojmë një orë shah nga ne të Korçës, meqenëse qeveria që përfaqësoni po i jep prioritet këtij sporti?
Kushti i vetëm është se gurët e shahut duhet t’i merrni me vete, pasi pas vizitës suaj nuk e dimë si u zhduken, ose u fshehën nga ne, ose nuk u ndahej dot shpirti nga ju. Sigurisht, përpara se të largoheni zemërmbushur nga mrekullitë që na rrethojnë, ju ftojmë të provoni diçka nga ‘mensa’ jonë e ngrënies, nga duart e “arta” të shitësve ambulantë.
Madje shijon më shumë ushqimi kur di se të dhembin brinjët e ngjeshura rrëzë kangjellave, ku shtyhesh dhe zgjat duart për të blerë ushqimin e shpejtë. Dhe në fund do i urojmë njëritjetrit: Na bëftë mirë! Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që do e merrni në konsideratë ftesën tonë.
kuptojmë që jeni tepër të zënë me përgatitjen e premtimeve të tjera, por gjeni pakëz kohë për ne, meqë me dëshirë na keni marrë në patronazh.
Dhe një herë tjetër: Gëzuar për shumë vjet! Me respekt, nxënës të shkollave tuaja të dashura “A.Z.Çajupi” Tiranë dhe “Raqi Qirinxhi” Korçë.
/l.k./