Nxënësit e shkollave të mesme në botë vijojnë qëndresën e tyre për politika kundër ndryshimeve klimaterike
Prej shumë javësh tashmë, nxënësit e shkollave të mesme në vende të ndryshme të Evropës, Afrikës dhe Amerikës, po bojkotojnë procesin mësimor gjatë të premteve për të sjellë në vëmendje nevojën e hartimit të politikave shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të gazrave karbonikë në atmosferë.
Protestave ditën e sotme u janë bashkuar dhe me mijëra studentë dhe nxënës në Shtetet e Bashkuara, të cilët do të marshojnë në rrugët kryesore të qyteteve të tyre për të ngjallur reagim te qytetarët dhe politika.
Protestat dhe marshimet shoqërohen dhe nga thirrje për miratimin e Paktit të Gjelbër prej Kongersit Amerikan, i cili synon përshtatjen e ekonomisë dhe industrisë së Shteteve të Bashkuara drejt një të ardhmeje më të gjelbër e më të pastër, ku përfshihet energjia e rinovueshme dhe teknologjia e gjelbër. Ky pakt përbëhet nga një paketë ligjore e nisur nga Përfaqësuesja e Kongresit Alexandria Ocasio-Cortez, e cila është një prej politikaneve të reja, të cilat me përfshirjen e tyre në Kongres po përpiqen të krijojnë një agjendë të mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit përmes politikave progresiviste pro-mjedisit.
Greva të ngjashme janë planifikuar në gati 100 vende të botës.
Qëllimi është për të reduktuar emetimet e karbonit në përputhje me gjetjet e një raporti të veçantë të vitit 2018 nga Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike, që paralajmëroi se emetimet globale të karbonit duhet të reduktohen me 45 për qind më poshtë niveleve të vitit 2010 deri në vitin 2030, për të shmangur pasoja shkatërruese dhe të pakthyeshme për planetin.
Vala e protestave nisur nga aktivizmi i adoleshentes suedeze Greta Thunberg, e cila vendosi t’i merrte problemet në duart e veta. Pasi la pas mësimin për të protestuar jashtë parlamentit suedez vjeshtën e kaluar, ajo u ndoq nga mijërsa nxënës dhe u dërgua në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në dhjetor, ku adresoi shtete pjesëmarrëse dhe fitoi vëmendjen e udhëheqësve politikë dhe kolegëve të saj në mbarë botën. /k.j
Burimi: euronews