Ditën e premte, asambleja e stafit akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë vendosi daljen në një grevë një-ditore dhe pezullimin e punës në Fakultet. Në një deklaratë të miratuar unanimisht mes profesorëve, stafi akademik doli krah studentëve dhe kërkoi abrogimin e ligjit të arsimit të lartë, duke njoftuar aktin e parë të rezistencës përkrah studentëve.
Dyert e Fakultetit janë mbyllur me shirita dhe në to është ngjitur deklara e marrë nga stafi akademik dhe e përkrahur nga studentët.
Në deklaratë cilësohen dhe si të papranueshme vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave në Dhjetor, të cilat cënojnë rëndë autonominë universitare.
Në fund të grevës së paralajmëruar, pritet të merret dhe një vendim i përbashkët mbi zhvillimet e protestës në vazhdimësi.
Ndërkohë që në Fakultete të ndryshme të Tiranës vijojnë të qëndrojnë studentë dhe profesorë të ngujuar, bojkoti vijon dhe në universitete të tjera publike të vendit./k.j