Një nga shqetësimet më të mëdha që personat e komunitetit trans kanë në ditët e sotme, është padyshim stigma dhe frika që ata kanë për të pranuar vetveten. Ndjesia që përsonat trans përjetojnë, që i bën ata të mendojnë se diçka nuk shkon me veten e tyre, njihet me termin disfori gjinore (gender dysphoria).
Disforia gjinore është shqetësimi që përjetohet kur gjinia në të cilën personat janë lindur, nuk përkon me gjininë me të cilën ata identifikojnë veten. Personat me disfori ndjehen gjithmonë të parehatshëm e të shqetësuar. Këto shqetësime fillojnë zakonisht gjatë moshës së pubertetit dhe ndryshimeve të fizikut. Një tjetër problem për këto individë është pranimi i roleve gjinore që u imponohen nga shoqëria.
Këtyre individëve mund t’i lindin të tjera probleme gjatë përditshmërisë së tyre për shkak të konfliktit të përhershëm në të cilin ato gjenden, mes asaj që janë e asaj që ndihen.
Konfliktet e brendshme gjinore ndikojnë dhe në sjelljen e këtyre individëve dhe padyshim në imazhin e tyre. Disa prej tyre zgjedhin të vishen si persona të gjinisë me të cilën ata identifikojnë veten, disa të tjerë ndërmarin një tranzicion shoqëror e deklarohen si persona të gjinisë tjetër dhe në shumë raste ndodh që këto individë dhe t’i nënshtrohen ndërhyrjeve hormonale e mjekësore për ndërrimin e gjinisë.
Për vite me rradhë, disforia gjinore konsiderohej si një çregullim mendor, por ndërgjegjësimi dhe studimet për këtë fenomen shtynë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që në qershor të këtij viti të heq disforinë nga lista e çregullimeve mendore e ta klasifikojë atë si një çregullim të shëndetit seksual./ k.j