Ministria e Arsimit: Tekste shkollore falas për fëmijët e familjeve në nevojë
Disa ditë më parë u njoftua zyrtarisht se shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet do të fillojnë ciklin shkollor në 15 shtator. Ndërsa shpërndarja e librave do të nisë në 1 shtator. Pagesa e librave është një problem jo pak i vogël për qindra familje në nevojë.
Ndaj ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha sot se fëmijët e familjeve në nevojë, fëmijët që konsiderohen viktima të trafikimit, fëmijët që vijnë nga familje me pjesëtarë me aftësi të kufizuara si dhe fëmijët e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës, do të përfitojnë tekste shkollore falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë.
“Të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë kanë mundësi të marrin libra falas për arsimin bazë. Të gjithë ata fëmijë që konsiderohen viktima të trafikimit përfitojnë tekste shkollore falas, sikundër përfitojnë tekste shkollore falas edhe ata fëmijë që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti. Jemi treguar solidarë edhe me të gjithë fëmijët e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës, në mënyrë që krahas bursës së studimit ata të përfitojnë falas edhe tekstet shkollore në të gjithë periudhën e shkollimit të tyre, në arsimin bazë”, tha Nikolla. /m.g