Mësuesja dhunon 8-vjeçaren; Vogëlushja shkruan në ditar: “Nuk e duroj dot më atë mësuese, do ta vras”
Një tjetër rast dhunimi i nxënësve nga mësuesit është sjellë në emisionin investigativ Fiks Fare. Këtë herë bëhet fjalë për një vajzë 8-vjeçare, nxënëse e klasës së tretë, në shkollën e fshatit Izvor të Tepelenës. Për shkak të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike për një kohë të gjatë, vajza ka shkruar për mësuesen në ditarin e saj se “do ta vras dhe do ta heq nga puna, unë do iki nga shtëpia për fare”.
Fiks Fare thotë se ka qenë e ëma e vajzës që ka denoncuar rastin pasi kjo dhunë ka sjellë acarimin e vajzës deri aty sa nuk ka dashur të shkojë më në shkollë. “Vajzën ma rreh mësuesja, i thotë budallaçkë, hajdute, i përplas kokën në dërrasë” thotë e ëma e vajzës. Ajo ka kërkuar disa herë ndihmën e drejtorit të shkollës, por që asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje. Kjo e ka detyruar ti drejtohet Fiksit. “Ju lutem më ndihmoni e kam litarin në fyt” thotë ajo.
Dhuna është pranuar edhe nga mësuesja Rudina Çibuku. Ajo ka thënë se e ka ofenduar dhe goditur disa herë nxënësen me justifikimin se është fëmijë i vështirë. “Kokën në dërrasë nuk ja kam përplasur, vetëm i kam shkulur flokët” pohon mësuesja në ballafaqimin me drejtorinë e shkollës.
Ndërsa në një fletë të publikuar nga ditari i vajzës shkruhet:
“Mua mësuesja më rreh shumë. Ti je gënjeshtare, do të të shtyp bota me këmbë… Tha ta rregulloj unë dhe më rrahu shumë me pëllëmbë. Ma ka përplasur kokën në dërrasë shumë herë… Atë e quajnë Rudina Çibuku. Në klasë të tretë jam unë e nuk duroj dot më me atë mësuese, do ta vras dhe do ta heq nga puna. Unë do iki nga shtëpia për fare”.
Kamera e fshehtë: Si sillet mësuesja në klasë
Pas denoncimit, Fiksi sjell me zë dhe figurë mënyrën si sillet mësuesja në klasë, ajo gjithë kohës bërtet ndërkohë që nxënëses i merr edhe kuletën e mjeteve mësimore, pasi i duket e dyshimtë se mund të ketë kamera. Vajza qan që i merr kuletën, ndërkohë ajo e kërcënon se do e çojë tek drejtori. “Hajde të shkojmë tani bashkë tek drejtori, e para se ke ardhur me vonesë në shkollë dhe e dyta se edhe ti më ke çuar mua tek drejtori” bërtet mësuesja.
Përpara kamerave të emisionit investigativ drejtori i shkollës ka pranuar se në këtë rast drejtoria ka dështuar. “Është një rast që duhet të dinim ta menaxhonim. Nëse mësuesja nuk di të punojë me nxënës të vështirë, atëherë ajo është e paaftë” thotë Petrit Llaka, Drejtor i Shkollës së fshatit Izvor në Tepelenë. Ai quan totalisht fajtore mësuesen, ndaj pret nga drejtoria arsimore një vendim të rëndë për të, por nëse nuk do vijë ky vendim atëherë do i ndryshohet klasa mësueses.