Mësim online përmes celularit, në varësi të lidhjes së internetit
Që prej fillimit të vitit të ri akademik, Komiteti i Ekspertëve ka detyruar universitetet të mbyllin dyert e auditorëve, për të zhvendosur mësimin online për mijëra studentë në universitetet publike dhe private në vend.
Duke u konsideruar si rrezik i lartë mësimi në auditor, universitetet publike në vend u detyruan të përshtasin strategjinë e tyre të përballjes me pandeminë e covid në moment të fundit, për të siguruar vazhdimin e mësimit online për studentët e tyre.
Studentët janë një nga grupet më të prekur nga pandemia e Covid-19. Që prej marsit e në vazhdim, aksesi i tyre në marrjen e njohurive është shoqëruar me vështirësi të shumta ekonomike dhe teknike.
Së fundmi, mësimi për mijëra studentë të Universitetit të Tiranës u shty me disa ditë për shkak të problemeve teknike dhe pamundësisë së studentëve dhe stafit akademik në qasjen në platformën e zgjedhur online.
Por një tjetër vështirësi, mbetet dhe aksesi në internet dhe disponimi i kompjuterave personalë në shtëpi, për ndjekjen e mësimit.
77.5% e studentëve ndjekin mësimin online përmes celularit.

Sipas një studimi të kryer nga Qëndresa Qytetare mbi aksesin e studentëve dhe mbarëvajtjen e mësimit online, 77.5% e studentëve raportojnë se mësimin e ndjekin përmes celularit.
Duhet të kemi parasysh se kur flasim për mësimin online, bëhet fjalë për platforma të krijuara kryesisht për qasjen në to përmes kompjuterave personalë ose tabletave. Celularët nuk ofrojnë as madhësinë e duhur të ekranit, as mundësitë e përfshirjes në platformë me opsionet e plota që sigurojnë një komunikim më cilësor.
40% e studentëve raportojnë se nuk ndjekin rregullisht leksionet.
Arsyeja kryesore e renditur prej studentëve mungesa e aksesit në internet.
Sipas Qëndresës Qytetare, studentët paguajnë 10 – 30 euro/ muaj për internetin, një shifër kjo që i shtohet dhe tarifës së studimeve, mbi të cilën së fundmi Rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi se do paguhet, për shkak të kostove të menaxhimit të punës në Universitete publike.
Ministria e Arsimit nuk ka konsideruar në asnjë moment subvencionimin e tarifës, qoftë për ndjekjen e studimeve, qoftë për qasjen e studentëve në internet.
Njëkohësisht, 38.5% e studentëve janë shprehur se nuk janë respektuar oraret gjatë mësimit online. Efektiviteti i përgjithshëm i mësimit online është vlerësuar nga studentët me notën 6.
Mësim online pa internet, Error 404.
Problematikën e mësimit online e ka adresuar më parë dhe Lëvizja për Universitetin. Javën e shkuar, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin ndërmorën një aksion në terren me qëllim kundërshtimin e diskriminimit ekonomik ndaj studentëve, shumësia e të cilëve e ka të pamundur të përballojë kostot e ndjekjes së mësimit online.
LPU kërkon nga autoritetet sigurimin e internetit falas dhe mjetet e nevojshme teknologjike, për të siguruar qasjen e studentëve në mësimin online dhe platformat e dedikuara për të.
Për aq kohë sa e vetmja mënyrë për të ndjekur leksionet mbetet interneti, të gjithë studentët duhen pajisur me paketa interneti falas dhe mjetet e nevojshme teknologjike.
Foto: Levizja per Universitetin