Më shumë se gjysma e shkollave të Tiranës, pa sistem ngrohjeje
Sistemi i ngrohjes në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme nuk funksionon në më shumë se gjysmat e shkolla të Tiranës. Nga 74 shkollat të arsimit të mesëm dhe 9-vjeçar, në 29 prej tyre mungon impianti ngrohës, ndërsa në 45 shkolla të tjera ka sisteme tabelë, megjithëse jo gjithmonë funksionale. Ulja drastike e temperaturave është kthyer në një problem shqetësues për nxënësit dhe mësuesit, të cilët e kanë të pamundur të zhvillojnë orët e mësimit.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” denoncoi se më shumë se gjysma e shkollave të arsimit parauniversitar nuk kanë sistem ngrohjeje, ose në rastet kur kaldajat janë të instaluara, nuk punojnë. Situata paraqitet problematike, sidomos në shkollat: “1 Maji”, “Mustafa Greblleshi”, “Sabaudin Gabrani”, “Sandër Prosi”, “Pjetër Budi”, “Hoxha Tahsim”, “Fan Noli”, “Vasil Shanto”, “Anton Zako Çajupi”, “Mihal Grameno”, “Ismail Qemali”, etj.
Në disa shkolla, zgjidhja është gjetur privatisht nga ana e nxënësve, të mbështetur financiarisht nga prindërit e tyre ata kanë blerë ngrohëse elektrike, të cilat gjithsesi nuk e mundin të ftohtin e këtyre ditëve, pasi klasa e ka të pamundur të ngrohet e gjitha. Por, në raste të tjera ku nuk ka patur mundësi për të shpenzuar para, mësuesit u kanë bërë thirrje nxënësve të vishen trashë.
Për shkak të mungesës së kushteve fizike për të zhvilluar mësimin normalisht, drejtuesit e 6 shkollave të mesme dhe 9-vjeçare në Tiranë, kanë kërkuar reduktimin e orëve të mësimit deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme. Përndryshe drejtorët e shkollave bëjnë me dije se nuk do të pranojnë të vijojnë mësimin, pasi vijimi i mësimit në këto kushte tejet të vështira nuk do të ketë asnjë efektivitet, përkundrazi do të krijojë probleme shëndetësore te fëmijët.
Bashkia e Tiranës thotë se situata është problematike pasi në vitin 2013 është bërë një kalim i kaldajave nga djegie me naftë, në kaldaja me pellet. Financimi prej 110 milionë lekë të vjetra dështoi. Shumica e këtyre kaldajave dolën jashtë funksionit për shkak të ngrohjes së pakët apo asfiksisë nga tymi që çlironin nga djegia. /m.g
Burimi: Gazeta Shqip