Mbrojtja e gjuhës së huaj, jo jashtë universitetit
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur në dhjetor të vitit të kaluar se në programet e studimit Master do të pranohen vetëm ata studentë që kanë të mbrojtur në nivelin B1 dhe C1 një prej pesë gjuhëve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht ose spanjisht).
Ky udhëzim që hyn në fuqi me vitin e ri akademik, kundërshtohet fortë nga aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”. Disa prej aktivistëve, të ftuar në një emision mëngjesi, thanë se ky udhëzim ka ardhur në një mënyrë të padrejtë për studentët.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së cilësisë në universitete, por mënyra se si e kërkojnë këtë provim na duket i padrejtë. Në rradhë të parë ky udhëzim ka hyrë në fuqi në muajin shkurt dhe studentët janë informuar vetëm në mars, kjo është një kohë e pamjaftueshme për përgatitjen e studentëve të vitit të tretë. Së dyti ne paguajmë tarifë për tre vjet në një institucion publik dhe në fund na kërkojnë të paguajmë një tarifë tjetër në insitutcion privat për të marrë një çertifikatë”, tha Vitori Çipi, një prej studenteve.
Sipas tyre ky udhëzim i detyron studentët e universiteteve publike ta mbrojnë gjuhën e huaj në një instituacion privat, ndaj kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për të mos e vënë në zbatim.
“Ne kemi ndërmarrë një peticion që e kundërshton këtë udhëzim. Nëse më parë studentët mund ta jepnin këtë provim në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në një tarifë nga 15 – 20 euro, sot ata janë të detyruar t’i nënshtrohen këtij provimi në një institucion privat dhe të paguajnë rreth 150 – 200 euro”, u shpreh Bora Mema, një prej aktivisteve të lëvizjes “Për Universitetin”. /m.g