Maturantët po braktisin universitetet shqiptare, 6 mijë aplikime jashtë vendit
Shifrat në rritje nga viti në vit të maturantëve që aplikojnë për studime jashtë vendit, tregojnë se Shqipëria po iu duket gjithnjë e më e pasigurt për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Pavarësisht kostove të larta që kanë universitetet jashtë, shumë nxënës kërkojnë të studiojnë jashtë. Një pjesë e mirë e tyre janë të rinj ekselentë, potencialet e të cilëve mund të shfrytëzoheshin në tregun e punës.
Në nivel kombëtar, autoritetet arsimore numërojnë mbi 6000 maturantë të këtij viti që kanë plotësuar dokumentacionin dhe kanë konvertuar diplomat për vendin ku do të nisin studimet. Vetëm në gjimnazin “Sami Frashri” në Tiranë, nga 528 maturantë në total, 200 prej tyre kanë aplikuar për të studiuar jashtë. Drejtoresha Teuta Dobi thotë se pjesa më e madhe kanë aplikuar për në Gjermani.
Ada Markece dhe Naila Velcani janë dy nga nxënëset që presin të fillojnë studimet në Gjermani.
“Dua të vazhdoj për megatronikë në Universitetin Teknik të Mynihut dhe shpresoj të pranohem. Kam një familje që është shumë e pasionuar pas arsimit dhe gjithmonë ka bërë shumë që ne të arsimohemi jashtë. Të dy motrat kanë studiuar jashtë. Gjatë verës, kam shkuar dhe kam bërë kurse verore jam njohur edhe me universitetin,” thotë Ada Merkace.
“Kam zgjedhur Gjermaninë pikërisht për kushtet se si zhvillohet mësimdhënia; për mundësitë e punësimit dhe për të ardhmen time që është deri diku e siguruar. Do të ndjekë studimet për Mjekësi dhe pas Mjekësisë së Përgjithshme më pas shpresoj për neokirurgji,” thotë Naila.
Jo vetëm duan të vazhdojnë studimet por edhe të nisin një jetë tjetër andej. Nxënëse si Ada, Naila dhe të tjerë, kur pyeten nëse duan të kthehen në Shqipëri pas shkollimit, thonë JO!
Markece: “Nuk e di. Me situatën që është këtu do të thosha jo dhe nuk e kam në plan. Madje do të tërheqë edhe prindërit.”
Velcani: “Jo! Jo! Në qoftë se ikën andej dhe bën gjithë atë shkollim, dhe të kthehesh këtu..vendi ynë këtë na ofron.”
Ikja e këtyre të rinjve dhe qëndrimi i tyre në vende të tjera, përkthehet në dëm për vendin tonë, pasi potenciali i këtyre të rinjve në fushat ku kanë zgjedhur të studiojnë është një humbje për Shqipërinë. Nëse ata do të punonin dhe investonin këtu vendi do të kishte më shumë zhvillim.
/m.g/
Burimi: TiranaObserver