Matura shtetërore: Parregullsi në publikimin e fituesve; Maturantët paralajmërojnë protesta
Lista paraprake e fituesve në arsimin e lartë ka sjellë kaos dhe shqetësime tek shumë maturantë. Edhe pse shumë prej tyre kanë dalë nga gjimnazi me rezultate të larta, nuk kanë rezultuar fitues në asnjë nga dhjetë preferencat e renditura.
Edhe vetë procesi i publikimit të fituesve është shoqëruar me parregullsi. Fillimisht adresat e shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve nuk hapeshin e më pas rezultuan të ishin përgjigjet e një viti më parë. Kjo ka shtuar edhe më shumë ankthin e maturantëve, ndërkohë që një pjesë e tyre nuk rezultojnë të kenë përmbushur kriteret për universitet.
Pas shpalljes së fituesve paraprak, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, tha se lista përfundimtare e fituesve do të dalë më 11 shtator. Sipas tij pritet që pas listës paraprake të publikuar, rreth 30% e kuotave të caktuara të mbeten bosh në UT.
“Më 11 shtator del lista përfundimtare e fituesve dhe ka afat regjistrimi 7 ditë. Regjistrimi bëhet online në portal dhe fizik në fakultete. Një maturant mund të ketë dalë fitues në 10 programe, por ai duhet të regjistrohet vetëm në një program. Ata që nuk janë fitues të jenë të qetë sepse do ketë zbritje liste, pas datës 20 shtator kur dalin edhe kuotat e mbetura”, tha Koni në një deklaratë për mediat pas kaosit të krijuar nga listat paraprake.
Të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga procesi kaotik i përzgjedhjes së fituesve, maturantët kanë paralajmëruar për protestë nesër (e martë, 7 shtator) përpara Kryeministrisë, në orën 10:00.
Sipas reformës së re, matura shtetërore është hequr si detyrim hyrës dhe janë vetë universitetet ata që kanë vendosur kriteret bazë. Fakultete të ndryshme kanë kritere të ndryshme për pranimin e studentëve. Kështu kriteret për në Universitetin e Tiranës janë: 50% nota mesatare e 3 viteve të gjimnazit + nota mesatare e provimeve të detyrueshme të maturës, dhe 50% nota mesatare e grup-lëndëve (lëndëve me zgjedhje). (lexoni kriteret e pranimit në universitete të tjera)
/m.g/