Matura shtetërore drejt automatizimit

Është konfirmuar prej Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë se këtë vit Provimet e Maturës Shtetërore, do t’i nënshtrohen korrigjimit elektronik. Sakaq, faza e pilotimit të këtij projekti për të testuar efikasitetin e kësaj metode nisi në Janar, ku disa mijë studentë të gjimnazeve morën pjesë duke u testuar. Mirëpo, faza e pilotimit kaloi në heshtje dhe pikërisht vetëm 2 muaj përpara Maturës Shtetërore 2019, bëhet e ditur skema e vlerësimit.
Së pari, fleta e provimit do të skanohet dhe do të kryhet vlerësimi automatik i pyetjeve me alternativa, për të kaluar më pas në korrigjimin manual të pyetjeve me shtjellim. Mirëpo, nuk bëhet e ditur më tej se për shkak të ndryshimit të metodës vlerësuese në automatike, nëse do të ketë një shtim të numrit të pyetjeve me alternativa përkundër atyre me shtjellim dhe si do të ndikojë kjo te nxënësit. Kësisoj do të kishte edhe një qartësim të vetë maturantëve që do t’i nënshtrohen këtij procesi.
Ndërkohë, që maturantët me ndihmën e mësuesve, janë duke konkluduar fazën përgatitore dhe për dy muaj pritet që të nisin provimet, ata përballen me nje fazë eksperimentale dhe pasigurie fare pak përpara ditëve të rëndësishme që do të përmbyllin dhe rrugëtimin e tyre të shkollës së mesme.
Nuk është e para herë që maturantët vihen përpara situatave të tilla eksperimentale pikërisht shumë pranë provimeve, duke iu ndikuar përgatitjen e ndoshta edhe vlerësimin e tyre; përmendim pakënaqësinë dhe manifestimin e maturantëve të vitit 2012 në lidhje me provimin e letërsisë, futjen e gjuhës së huaj të detyrueshme në provimet e maturës dhe problemet me koeficientët dhe dështimin e aplikimit elektronik të maturantëve në vitin 2016, ku një pjesë e mirë e tyre për shkak të paqartësisë së procesit të aplikimit u privuan nga e drejta për të ndjekur studimet e larta.
Sakaq, nga Ministria e Arsimit vetëm behët e ditur që po punohet ende në lidhje me konsolidimin e skemës vlerësuese për maturën e vitit 2019./l.k/