Masivizohet protesta studentore në Tiranë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/12/a852fd4e-e9ec-42b0-8c94-57d167c2ad9a-960x640.jpg)
Pavarësisht shfuqizimit të VKM-së për tarifën e provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.
Studentët kanë bojkotuar edhe sot mësimin dhe nga të gjitha fakultetet e Tiranës janë mbledhur tek Ministria e Arsimit. Studenteve të Tiranës, iu bashkuan edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Universiteti i Elbasanit, ndërsa pritet të vijnë edhe ata nga Durrësi dhe Vlora.
Protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit i janë bashkuar edhe personazhe të njohur si artisti Robert Aliaj, profesori dhe përkthyesi Emond Tupja si dhe ish zv.ministri i Arsimit i dorëhequr rreth 1 muaj pas marrjes së detyrës Taulant Muka.
Shkrimtari dhe pedagogu Edmond Tupja ka thënë se kjo protestë është madhështore dhe se ai është në mbështetje të studentëve.
Studentët u kanë bërë thirrje edhe prindërve, pedagogëve dhe gjimnazistëve që të bashkohen në protestë. Në gatishmëri pranë Ministrisë së Arsimit qëndrojnë edhe 50 forca policie, pavarësisht se protesta është paqësore.
“Studentë kjo është koha jonë. T’u tregojmë pushtetarëve. Studentët e bashkuar kanë për ta fituar. Kërkojmë të drejtat tona. Përmirësim të kushteve të konvikteve. Ulni tarifat”, kanë thirrur në kor studentët.
“Universiteti = minus një veshkë” është pankarta e studentëve ë Universitetit të Mjekësisë, ndërsa Universiteti Bujqësor ka zgjedhur pankartën “U munduan të na varrosin, por nuk e dinin se ne ishim fara”.
Katër kërkesat e studenteve drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë:
1. Anulimi i VKM per tarifa shtese. – e aprovuar
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një̈ përfaqësues nga studentet ne bord.
Protesta vijon. /k.j