Masivizohet protesta e sotme, studentët e rretheve drejt Tiranës
Dita e sotme shënon ditën e 13-të e protestës studentore, kur dhe pritet masivizimi i saj me studentë nga qytetet e tjera te Shqipërisë.
Studentët, kanë vendosur të mblidhen fillimisht në Fakultetet përkatëse. Në Fakultetin e Ekonomisë studentët i vunë drynin derës së Fakultetit për të penguar futjen e pedagogëve dhe veprim i ngjashëm ndodhi dhe në Fakultetin Juridik ku hyrja u rrethua me shirita për të nxitru të gjithë studentët dhe stafin të dalin në protestë.
”Në orën 9-11 organizohemi përpara fakulteteve për të ndërgjegjësuar çdonjërin nga ne mbi kauzën tonë të drejtë. Studentët të pajisur me foni do të shpalosin në detaje kërkesat e tyre specifike për arsim cilësor. Folës të ndryshëm nga të gjitha programet e studimit dalin dhe denoncojnë me forcë problemet tona, padrejtësinë që na bëhen përditë, të cilat duhet të marrin fund. Studentët artikulojne kërkesa specifike për autoritetet drejtuese të Fakulteteve/Universiteteve. Përfaqësues nga fakultete/Universitete të tjera përshëndesin protestën dhe prezantojnë problemet e përbashkëta”, shkruhet në njoftimin për organizimin e protestës së ditës së sotme.
Studentët vazhdojnë të përsërisin kushtet e panegocieshme drejtuar Kryeministrit dhe njëkohësisht bënë dhe thirrje për largimin e partive politike nga protesta. Është njoftuar se eksponentë të opozitës do u bashkëngjiten studentëve, por vendimi i studentëve për mos pranimin e tyre, është një tjetër kërkesë e panegocieshme.
Pas protestës së ditës së sotme, pritet një vendim i unifikuar për zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi./ k.j