Ligji i ri për Gjendjen Civile – Sa e rregullon situatën e popullsisë në rrezik pashtetësie?

Problemet e pashtetësisë në vendin tonë janë kryesisht të lidhura me regjistrimin e lindjeve, me të cilën ballafaqohen komunitetet vulnerabël dhe në veçanti ato Rome dhe Egjiptiane. Mirëpo fenomeni i popullsisë në rrezik pashtetësie bëhet më kompleks për rastet e fëmijëve të lindur jashtë vendit, veçanërisht për fëmijët, prindërit e të cilëve jetojnë në mënyrë të parregullt. Ky fenomen ka qenë dhe subjekt i raportit të publikuar nga organizata TLAS (Tirana Legal Aid Society) me titull “Hartëzimi i popullsisë në rrezik pashtetësie”, një raport i mbështetur nga UNHRC.
Në raportin, ku u identifikuan 1031 njerëz pa shtetësi në Shqipëri, renditen një sërë faktorësh që ndikojnë në rrezikun e pashtetësisë. Shpesh këta prindër nuk mund të sigurojnë akte të rregullta të lindjes ose marrin vetëm një njoftim lindjeje që nuk përfshin informacionin bazë (përfshirë emrin) të kërkuar nga autoritetet shqiptare për të regjistruar lindjen e tyre. Kërkesat burokratike të procedures së regjistrimit janë të tatueshme dhe shpesh të pamundura për t’u përmbushur, veçanërisht për ata që jetojnë në kushte varfërie dhe vulnerabiliteti.
Ndryshimet e Ligjit për Gjendjen Civile të tetorit 2018, të mbështetura nga UNHCR, UNICEF dhe TLAS në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institucionet Shtetërore, synojnë t’i japin fund vakumit ligjor të shtetasve shqiptarë që nuk mund të regjistrojnë lindjen e fëmijëve të tyre, pa të cilën nuk mund të konfirmohet shtetësia e tyre.
Në tryezën e diskutimit të zhvilluar të premten e kaluar, organizata TLAS bëri së bashku ekspertë të fushës, përfaqësues të OJQ-ve dhe Njësive për Mbrojtjen e Fëmijës. Në këtë takim u diskutuan tre draft aktet e para nënligjore në zbatim të Ligjit të Gjendjes Civile të ndryshuar dhe rekomandime si ai për krijimin dhe administrimin e Regjistrit të Përkohshëm që mbahet nga zyrat e gjendjes civile.
Për më tej, ndiqni video-en e mëposhtme:
/k.m/