Kristalizohet bojkoti studentor, tashmë dhe universitetet jashtë Tirane i bashkohen bojkotit

Në javën e dytë të bojkotit studentor kundër ligjit të Arsimit të lartë duket se po krijohet një efekt domino në shumicën e fakulteteve të Universitetit të Tiranës si dhe në universitete të tjera jashtë Tirane. Disa prej studentëve kanë zgjedhur të ngujohen në universitete, disa kanë zgjedhur të zhvillojnë aktivitete të ndryshme ku diskutohet për Ligjin e Arsimit të lartë dhe qasja kritike ndaj tij, filma, dokumentarë, muzikë, lexime librash etj.
Më poshtë janë të listuara disa prej aktiviteteve të zhvilluar, të grupuar sipas Universiteteve dhe Fakulteteve që zgjodhën ti shkojnë deri në fund kauzës studentore përmes bojkotit:
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Gjuhëve të huaja
15 janar 2019 – Studentët kanë diskutuar me pedagogun Ervin Goci në lidhje me ligjin për arsimin e lartë dhe problematikat e tij.
16 janar 2019 – Studentët zhvilluan diskutim me aktivistin e “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari, për studimin mbi pasojat e Ligjit të Arsimit të Lartë 80/2015 në sistemin universitar.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale
Ky fakultet është ndër më aktivët dhe kreativët kur vjen puna tek bojkoti studentor.
15 janar 2019 – U zhvillua shfaqja e dokumentarit “Bllokada”, i cili rrëfen bllokimin e jetës universitare nga studentët në Kroaci në vitin 2009. Pas bllokimit për 34 ditë, rezultati ishte arsim publik falas.
Gjithashtu u mblodh Asambleja e Stafit Akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale e cila nuk bën thirrje për rifillimin e mësimit dhe mbështet kërkesat e studentëve dhe rishpreh vullnetin e saj për abrogimin e ligjit të arsimit të lartë. Është hera e parë që në universitetet publike të Republikës së Shqipërisë mblidhet formalisht asambleja e pedagogëve.
16 janar 2019 – Ditën e sotme u zhvillua një ligjërim nga ana e pedagoges Anila Sulstarova me përqasje psiko-sociale ndaj protestave nën titullin “Kurajo e protestës dhe çmimi i frikës”.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës
15 janar 2019 – Studentët zhvilluan një takim të hapur me Dekanin dhe Përgjegjësit e Departamenteve.
Disa nga çështjet që shtruan studentët ishin:
1. Kërkojnë cilësi në arsim
2. Nuk duan tekste me google translate
3. I kërkuan Dekanatit të mbledhë Asamblenë e Fakultetit për t’u shprehur në lidhje me protestën studentore
4. U diskutua mungesa e programeve të akredituara
5. Mungesa e laboratoreve funksionalë
6. Studentët e informatikes u ankuan se bënin programim në letër
7. U ngrit çështja e etikës së pedagogëve, nga shitja e librave me detyrim e deri te mitmarrja…
Dekanati premtoi se nuk do të ketë presioni mbi studentët por mbajti një qëndrim kritik ndaj problematikave të shtruara.
16 janar 2019 – Bojkoti vijon përmes thirrjesh për plotësim të kërkesave dhe abrogimit të Ligjit për Arsimin e Lartë.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë
Bojkoti vijon edhe në këtë fakultet përmes zaptimit të tij.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë
Studentët e mjekësisë kanë zaptuar fakultetin prej ditësh dhe janë zotuar se do të rrijnë deri në plotësimin e kushteve.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave
14 janar 2019 – Një protestë simbolike u zhvillua nga studentë të këtij fakulteti ku u nxorrën jashtë fakultetit banka dhe studentët të ulur, nën thirrjen “Gjeologjiku bojkoton”, kanë bërë një apel për përmirësimin e kushteve që detyrohen të zhvillojnë mësim (në temperaturat e ftohta dhe mungesë godine).
15 janar 2019 – U zhvillua një mbledhje e gjerë mes studentëve e pedagogëve. Është vendosur për të vazhduar bojkotin, gjë të cilën e kanë mbështetur parimisht edhe pedagogët. Gjithashtu, në vazhdim do të nënshkruhet një peticion për shtyrjen e datave të mësimit dhe heqjen e mungesave.
Universiteti i Arteve
Bojkoti është shtrirë edhe në këtë universitet ku studentët kanë zgjedhur të bojkotojnë masivisht mësimin.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë
Fakulteti i Ekonomisë është zaptuar nga studentët dhe bojkoti vijon i fortë deri në plotësimin e kërkesave.
Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”
Bojkoti nuk ka qenë i centralizuar vetëm në Tiranë por edhe në universitete të qyteteve të tjera. Bojkotit iu bashkua Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ku u bojkotua masivisht.
15 janar 2019 – Studentët u ngujuan brenda ambjenteve të universitetit deri në orët e vona duke sfiduar frikën dhe të ftohtin.
/k.m/
Burimi: “Për Universitetin”