Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të parandalohet shitja e drogës në shkolla
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka reaguar sot për lajmin e arrestimit të gjimnazistit që tentonte të shiste drogë në shkollë. Në një deklaratë për media, KShH thotë se e konsideron këtë fenomen si shqetësues.
“KShH vëren se raste të tilla kanë ndodhur edhe në shkolla të tjera të vendit në të kaluarën. Gjithashtu vërehet se pas këtyre rasteve, merren disa masa, por ato nuk kanë vazhdimësi dhe rrjedhimisht efekti i tyre është minimal. E theksojmë këtë edhe për faktin se disa sondazhe të kryera kanë dhënë sinjale se përdorimi i drogës në një përqindje relativisht të lartë dhe është përhapur edhe në shkolla”, thuhet në deklaratë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, rekomandon që bashkëpunimi mes organeve të rendit dhe institucioneve të arsimit dhe prindërve, të ndërmarrë veprime konkrete dhe jo të jetë formal. “Në këtë drejtim duhet të ketë sensibilizim më të madh të vetë nxënësve, të cilëve duhet t’u bëhet i qartë dëmi që shkakton përdorimi i drogës për shëndetin dhe jetën e tyre”.
Ditën e djeshme në media është raportuar për arrestimin në flagrancë të 18 vjeçarit B.K, gjimnazist në shkollën “Sali Ceka” në Elbasan. Sipas policisë, gjatë kontrollit të kryer në banesën e tij, është gjetur një sasi droge e vendosur në qese të vogla, të cilat dyshohet se ua shiste bashkëmoshatarëve të tij në shkollë. /m.g