Udhëheqësi i Partisë së Punës në Angli, Jeremy Corbyn është zotuar të përfshijë historinë e komunitetit LGBTI në kurrikulat e shkollave, si dhe të mbrojë lokalet homoseksuale nga tjetërsimi pronësor.
Corbyn prezantoi Manifestin LGBTI, pikërisht një ditë përpara përcaktimit të udhëheqjes së partisë, manifest i cili përfshin premtime radikale drejt barazisë.
Përveç bërjes së detyrueshme të edukimit seksual në arsimin gjithëpërfshirës, Corbyn deklaroi se do ta reformojë Kurrikulën Kombëtare Arsimore për t’u përqëndruar edhe në të drejtat dhe historinë e komunitetit LGBTI. Ai u shpreh: “Si pjesë e angazhimit tonë për barazi dhe gjithëpërfshirje ne do të përparojmë me përfshirjen e të drejtave LGBTI në sistemin arsimor, duke mundësuar që kurrikula kombëtare të pasqyrojë figurat historike LGBTI dhe të drejtat e komunitetit.”
“Ne do të punojmë me shkollat për të promovuar një mjedis të sigurtë dhe gjithëpërfshirës për të rejat dhe të rinjtë LGBTI, si dhe për të inkurajuar miratimin e praktikave dhe gjuhës gjithëpërfshirëse për të siguruar që studentët LGBTI të arrijnë rezultate pozitive arsimore.”
“Edukimi formon qëndrime dhe të paturit e një përvoje pozitive arsimore, krijon themelet për gjithë pjesën tjetër të jetës. Më shumë se gjysma e nxënësve lezbike, gej dhe biseksualë, nëpër shkolla kanë përjetuar ngacmim të drejtpërdrejtë – ne duam ta zvogëlojmë në mënyrë të ndjeshme këtë shifër dramatike.”
Gjithashtu, ai u zotua të ndërhynte për të mbrojtur nga mbyllja baret e historike të homoseksualëve si vende ikonike, duke përfshirë planet e rizhvillimit të betejës Royal Vauxhall Tavern. Në këtë aspekt vijoi: “Erozioni dhe zvogëlimi i dukshëm i mjediseve LGBTI në të gjithë vendin, është vërtet shqetësues, teksa vetëm në Londër 25% e vendeve LGBTI janë mbyllur, ndërsa në Manchester dhe Brighton gjithashtu po vuajnë të njëjtat pasoja. Ne duhet të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe historike të vendeve LGBTI, duke mbështetur zgjerimin e statusit të aseteve me vlerë për komunitetin nga legjislacioni i planifikimit, duke siguruar vende për komunitetet e ardhshme LGBTI dhe duke siguruar mbrojtje më të madhe të vendeve ekzistuese nga prishja ose tjetërsimi i përdorimit.”
Ai gjithashtu u zotua të vendosë në dispozicion të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) ilaçet parandaluese të HIV-it, të shfuqizojë tarifat për entet diskriminuese përmes Gjykatës së Punësimit, dhe të mundësojë trajnime në lidhje me ndjeshmërinë e të drejtave LGBTI për oficerët e policisë.
Në përfundim Corbyn shtoi: “Si pjesë e angazhimit tonë për të siguruar një shoqëri të barabartë, ne kemi botuar një seri dokumentesh që përcaktojnë sesi politika jonë ekonomike dhe angazhimi ynë për barazi do të jetë i vlefshëm për të gjithë. Sfidimi i qëndrimeve paragjykuese dhe diskriminuese, si dhe shndërrimi shoqëror nuk do të ndodhin brenda ditës, prandaj politikat që kemi paraqitur janë veç fillimi, dhe jo fundi. ”
Corbyn e përmbylli fjalën e tij duke nënvizuar, sesi uniteti i forcon përpjekjet e përbashkëta dhe sesi betejat e lëvizjes sindikale dhe lëvizjet çlirimtare, janë të gjitha pjesë strukturore e Partisë së Punës.
Liri Kuçi
Burimi i fotos: flickr
