Itan dhe Diazo, dy personazhe si gjithë të tjerët

Ditën e djeshme u shfaq në kinemanë Cineplexx filmi vizatimor aq i përfolur “Strange World”. Protesta e zhvilluar nga Koalicioni Pro Familjes dhe mbledhja e jashtëzakonshme që ky Koalicion bëri, të bëjnë të kuptosh që ata nuk e kanë problemin vetëm me komunitetit LGBT por kanë probleme edhe me tematikat e tjera që filmi prekte. Por le të përmbledhim shkurtimisht përmbajtjen e filmit.
Kërkuesi Klejd është një fermer i thjeshtë. I ati i tij ka qenë eksplorator dhe për 25 vite u largua nga familja pasi u nis të eksploronte botën. Nëna e Kërkuesit, Penelopa pas shumë vitesh që priti të shoqin u martua me dikë tjetër. Kështu Kërkuesi u rrit nga një nënë e vetme. Ai vetë është i martuar me një grua me ngjyrë, Meridianin dhe janë prindër të një djali, Itanit. Ky i fundit, pra Itan është dhe personazhi që ka shkaktuar lëkundje sizmike. Asyeja: Itan është gej dhe dashuron shokun e tij Diazon. Aventura e kësaj familjeje fillon kur disa miq vijnë ti marrin me anije kozmike për të shpëtuar planetin. Gjatë kësaj kohe Kërkuesi gjen të atin, i cili që prej 25 vitesh kishte mbetur maleve. Në film trajtohet gjerësisht marrëdhënia babë e bir. Babai mungues dhe djali i rritur tashmë fillimisht debatojnë, grinden, zemërohen, në fund e gjejnë gjuhën e përbashkët.
Dy brezat ( Kërkuesi dhe i ati dhe Kërkuesi me Itanin) përplasen me njëri-tjetrin. Filmi nxjerr në pah dhe marrëdhëniet mes prindit dhe fëmijës adoleshent. Kërkuesi nuk e kupton të birin. Ai mendon se Itan do të bëhet fermer njësoj si i ati. Mirëpo Itan teksa zbulon botën e nëndheshme dashurohet pas saj. Nëna e Itanit, Meridiani është grua liberale dhe e kuptueshme. Në një bisesdë me të birin, ai i rrëfen se ferma është shumë e vogël për të, ndërsa bota shumë e madhe. Ai i thotë se ndjehet sikur është brenda elementit të vet aty poshtë. Mamaja e Itanit e inkurajon të birin që të vazhdojë t’i eksplorojë ato ndjenja.
Një tjetër marrëdhënie që filmi trajton është ajo e gjyshit dhe nipit. Kur Itan njeh gjyshin e tij eksplorues, befas ndjen se mund të flasë me të. Gjyshi e pyet nëse i pëlqen dikush dhe Itan i thotë se i pëlqen Diazo por thjesht nuk di si t’ja thotë. Atëherë gjyshi i jep disa këshilla të tipit: fute djalin që të pëlqen në një situatë të rrezikshme nëse do ti lësh vërtet mbresa e më pas shpëtoje, bëhu ti heroi, shpëtimtari.
Fundi i filmit sjell ndryshime në familje. Pas një viti, pasi planeti është shpëtuar dhe ferma lulëzon, Kërkuesi merr një letër nga i biri. Itani ka zgjedhur të qëndrojë në vendin që zbuluan, i cili gjithashtu lulëzon, është i lumtur dhe ka përkrah vetes Diazon. Bashkë me letrën ai i dërgon familjes një fotografi ku të dy kanë dalë të përqafuar.
Në vija të përgjithshme ky ishte subjekti i filmit që u shfaq ditën e djeshme. Përveçse edukativ, në film nuk kishte asgjë të tepruar dhe as të rrezikshme për fëmijët shqiptarë. Filmi kishte prekur tematika nga më të ndryshmet: marrëdhëniet njerëzore, marrëdhëniet prind-fëmijë, prania e kafshëve (që përveçse argëtuese për më tepër zgjon tek fëmijët dashurinë për kafshët), personazhi i nënës që ishte grua me ngjyrë si dhe diferenca e madhe tek të gjithë personazhet është edukuese për brezat e rinj pasi u mëson atyre si të jenë mbështetës dhe të mësohen me diversitetin. Në asnjë moment në film nuk u ngulmua mbi të qenit gej apo si të bëhesh gej. Itani dhe Diazo (ky i fundit u shfaq në fund të filmit) nuk morën më tepër vëmendje se personazhet e tjerë dhe as nuk u trajtua historia e tyre veçmas . Në këto raste e mira është që filmat, shfaqjet, e gjithçka tjetër që e frikëson botën e atyre që duan të “mbrojnë” familjen, fillimisht ti shohin, pastaj të mundohen ti kuptojnë e në fund nëse munden edhe ti shijojnë.