‘Ikja e trurit’ po kthehet në fenomen shqetësues për Shqipërinë

Në një studim rajonal mbi forcimin e arsimit dhe shkencës, për Shqipërinë identifikohet problematika e ikjes së trurit si një fenomen mjaft shqetësues dhe në rritje. Ky studim është zhvilluar në kuadër të projektit “Krijimi i sinergjisë në Ballkanin Perëndimor për forcimin e arsimit, kërkimit dhe shkencës”.
Studimi citon se, kjo sasi gjithnjë në rritje e “trurit” shqiptar mund dhe duhet të mobilizohet në dobi të zhvillimin socio-ekonomik të vendit, veçanërisht nëse ekzistojnë kushte specifike.
Në të përfshihen detaje edhe për vendet e tjera të Ballkanit, ndërsa për vendin tonë bëhet me dije se, ka ende pengesa në zbatim të akteve nënligjore në fushën e hulumtimeve shkencore si dhe fonde shumë të pakta për tu shpenzuar për kërkimin shkencor.
“Përfshirja e një granti për kërkimin shkencor është një inovacion pozitiv për hulumtimin. Por, shuma e shpenzuar është shumë e ulët nëse e krahasojmë atë me vendet e tjera në rajon.”
Sipas raportit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara nëpërmjet forcimit dhe përmirësimit të sistemeve kombëtare të arsimit, kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit, megjithatë mbetet një ndryshim i konsiderueshëm në nivelin e performancës midis vendeve.
Në raport bëhet një përshkrim i përgjithshëm i situatës në Shqipëria, duke përmendur ligjet dhe reformat e miratuara gjatë viteve të fundit. Në të përmendet gjithashtu kufizimi i numrit të kuotave pvr doktoraturë në IAL publike dhe mos-hapja e thirrjeve të reja për plotësimin e këtyre kuotave, veprim që ndikon negativisht në kërkimin shkencor.
Ligji i kundërshtuar i Arsimit të Lartë duket të jetë një kontribues kryesor në përkeqësimin e situatës, duke qenë se konsiderohet si ende i pa plotësuar. Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga miratimi i ligjit, shumë çështje që kanë të bëjnë me aktet nënligjore dhe vakumi i krijuar në hulumtimet shkencore në IAL mbeten ende për t’u zgjidhur. /k.j
Burimi: Monitor