Historia e djalit 10-vjeçar që shkollohet larg shtëpisë për shkak të gjakmarrjes
Një 10-vjeçar nga fshati Barbullush i Shkodrës, prej 3 vitesh detyrohet ta bëjë shkollën tek të afërmit e tij në zonën e Postribës, rreth një orë larg banesës. Shkak për këtë është zakoni mesjetar i gjakmarrjes, që është ende i pranishëm në lokalitetet të veriut të Shqipërisë.
Nëna e Ambrit 10 vjeçar, Mire Gjata tregon për “Shkodranews” vështirësitë për shkollimin e djalit i cili ende nuk ka siguruar as librat.
“Jetojmë në kushte shumë të vështira. Djali im nuk mund ta bëjë shkollën këtu në Barbullush sepse familja tjetër nuk na lejon. E vetmja mënyrë është që të shkojë tek dajat e tij në Postribë. I falenderoj që na kanë lejuar të shkojmë atje. Ne jetojmë vetëm me 14 mijë lekë të vjetër dhe s’kemi asnjë të ardhur tjetër. Djali është i stresuar dhe nuk mund të shijojë lirinë si të gjithë shokët e tij. Kjo mua më vret shumë. Ndjehem shumë keq. I kërkoj shtetit ndihmë në mënyrë që të mundësohet që djali im ta bëjë shkollën këtu në Barbullush dhe të dalë si të gjithë shokët e tij”.
Zanafilla e konfliktit që çoi dy familje të fshatit në gjakmarrje është sa absurde aq edhe banale. Babai i 10-vjeçarit, Agim Gjeta vrau para 6 vitesh një bashkëfshatarin e tij pas një sherri të momentit. Që prej asaj dite e gjithë familja është ngujuar, përfshi dhe të birin 10 vjeçar, i cili është privuar nga jeta normale, e nuk del të luajë, nuk shkon në plazh apo të tjera normalitete të jetës së një fëmije. Ajo që kanë negociuar gjaksit me familjen është që djali të shkollohet te dajat e tij në Postribë dhe të mos duket në fshat pasi mund të vritet siç e do zakoni.
“Unë nuk mund të shkojë në shkollë këtu në Barbullush. Jemi të ngujuar dhe e bëj shkollën në Postribë tek daja im. Nuk kam çfarë të bëj. Unë kam shumë dëshira por s’mund t’i realizoj. Nuk kam ende libra dhe as rroba për shkollën. Këtu në Barbullush nuk mund të dal. Ne jetojmë me frikë. Unë nuk kam shkuar kurrë në plazh dhe nuk kam luajtur kurrë me shokët ashtu si duhet. Ata vijmë këtu tek shtëpia ime sepse s’kam zgjidhje tjetër”, tha Ambri 10-vjeçar për Shkodranews.
Sipas Nikollë Shullanit, pajtues gjaqesh, vetëm në zonën e Shkodrës janë 9 fëmijë që nuk do të shkojnë dot në shkollë këtë vit për shkak të gjakmarrjes, ndërsa 15 të tjerë do të bëjnë mësimin në shtëpi.
/l.k./