Ditën e djeshme, pas kryerjes së vizitave për ditën e parë të shkollës dhe urimeve në Facebook, u largua nga detyra ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe u zëvëndësua me deputeten e Partisë Socialiste Evis Kushi.
Duke u kthyer pas në dhjetor të vitit 2018, kur kryeqyteti po shihte protestat masive të studentëve për kushtet në arsimin universitar, nisi dhe publikimi i emrave të funksionarëv publikë, ministra, ish-ministra, deputetë dhe kryetarë partie, që kanë kryer plagjaturë një ose disa herë. Dhe jo plagjaturë e rastësishme apo e paqëllimshme, por punime copy-paste e vetëm me ndryshime emrash të përveçëm.
Studiuesi Vladimir Kola, i cili më parë ka demaskuar dhe punimet plagjiaturë të Mimi Kodhelit, Ogerta Manastirliut, Taulant Ballës, Monika Kryemadhit e tjerë, këtë rradhë ka zbuluar punimin ku ministrja e re Kushi është autore, në të cilin plagjatura është 70% nga një punim i mëparshëm me një tjetër autor.
“Artikulli shkencor i kopjuar me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është paraqitur nga autoret në një konferencë shkencore me titull <<6th International Conference of ASECU, “Economic development, tax system and income distribution in the countries of Southern and Eastern Europe”>> që është mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, Mal i Zi, më 20-22 maj 2010. Nuk përjashtohet mundësia që artikulli “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, të jetë përdorur nga autoret (apo nga njëra autore), si një ndër shkrimet shkencore, për të marrë tituj akademikë si Profesor i Asocuar ose Profesor.”, shkruan Kola në postimin e tij.
Sipas CV së zonjës Kushi, ajo mban titullin Profesor që prej vitit 2016.
Ministrja e re e Arsimit ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim Biznesi. Më pas, në vitet 2003-2008 ka studiuar në Staffordshire University, Angli ku dhe ka marrë doktoraturën në Ekonomi Turizmi. Në vitin 2010 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe së fundmi në vitin 2016 ka marrë titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Prej vitit 2013 ajo angazhohet në Partinë Socialiste si deputete qarkun e Elbasanit.