Dhuna policore ndaj studentëve/ Reagon Avokati i Popullit duke dënuar sjelljen represive

Në kuadër të protestave studentore për përmirësimin e arsimimit universitar dhe plotësimit të kërkesave të artikuluara, doli në pah një formë tjetër e protestimit: ajo e bojkotit dhe ngujimit të studentëve nëpër universitete duke organizuar diskutime kritike mbi universitetin, lexime dhe tryeza studentore.
Por kjo protestë është trazuar nga dhuna policore kur nën pretekstin e normalizimit të situatës për të risjellur zhvillimin normal të mësimit, forca policore kanë ushtruar gjatë bojkotit dhunë ndaj disa studentëve (e dokumentuar në videon më poshtë) dhe përdorimi i frikës për të shpërndarë të tjerë studentë nga ambjentet e universiteteve.
Pikërisht në momentin që dukej se ishte kristalizuar heshtja institucionale nga ana e ndërkombëtarëve dhe ambasadave, një reagim ka ardhur nga institucioni i Avokatit të Popullit. Në një deklaratë publike ky institucion i bëri thirrje autoriteteve shtetërore të tërhiqet nga ushtrimi i çdo lloj forme intimiduese dhe dhune që pengon të drejtën e shprehjes së pakënaqësive ndaj sistemit arsimor.
Institucioni u zotua të nisë procesin e verifikimit të ankesave dhe pasqyrimit të çdo shkelje të të drejtave të njeriut në rastin në fjalë.
Më poshtë gjendet deklarata e plotë e AtP:
Avokati i Popullit
11 January at 17:38 ·
AVOKATI I POPULLIT I SHQETËSUAR PËR QASJEN REPRESIVE NDAJ PROTESTAVE STUDENTORE
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për qasjen represive ndaj formave të ndryshme të protestës së një numri studentësh shqiptarë të cilët kërkojnë plotësimin e disa pikave me synim përmirësimin e gjendjes së arsimit universitar në vend.
Ndërsa institucionalisht vlerësojmë si një zgjidhje pozitive uljen e tarifave dhe adresimin e disa prej kërkesave të studentëve, mendojmë se studentët janë ata që kanë të drejtë të bejnë vlerësimin përfundimtar në lidhje me realizimin e kërkesave të tyre.
Institucioni i Avokatit të Popullit për të disatën herë kërkon që autoritetet tona të garantojnë me të gjitha mënyrat që qytetarët ta shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore, të pashqetësuar e të pa vënë nën presione të çdo lloji.
Gjithashtu, janë në kufijtë e të papranueshmes justifikimet se përdorimi i forcës për shpërndarjen e studentëve që kanë zgjedhur ta zhvillojnë protestën e tyre në ambientet universitare, bëhet për të garantuar zhvillimin normal të mësimit në ato ambiente.
Ndërkohë që prej më se një muaji është bërë e qartë nga protestat e studentëve se situata nuk është normale, nuk ka asnjë “normalitet” që po ndërpritet nga vijimi i shprehjes së pakënaqësisë së studentëve.
Avokati i Popullit bën thirrje që askush të mos ushtrojë asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejten e studentëve për të protestuar dhe të zgjidhet një qasje e re mirëkuptuese, dëgjuese dhe vetëkorrigjuese përballë kërkesave të tyre të drejta.
Ekipet e Avokatit të Popullit janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës në të gjitha lokacionet e saj, ata kanë bashkëbiseduar me studentë dhe kanë marrë ankesat e tyre.
Avokati i Popullit do te kryeje procesin e verifikimit te ketyre ankesave ne perputhje me ligjin dhe do te nxjerre konkluzionet perkatese ne rast se do te konstatohen shkelje te te drejtave te njeriut dhe keqperdorim te autoritetit administrativ shteteror.
Ndërkohë në videon më lart, përveç dhunës shqetësuese fizike ndaj njërit student, nuk mungon dhe gjuha denigruse dhe diskriminuese me bazë orientimin seksual, e përdorur nga policia. Kjo gjuhë mund të dëgjohet në fund të video-s.
“Historia Ime”, një portal informativ i dedikuar ndaj mbulimit të të drejtave të njeriut por me fokus të veçantë dhe komunitetin LGBTI+, dënon gjuhën diskriminuese të përdorur nga autoritetet policore, i bën thirrje forcave policore për vetëkorrigjim të sjelljes si dhe kërkohet reagim institucional nga ana e Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi për rastin flagrant më lart.