Dështon formula e re, maturantët konfirmojnë zgjedhjet e para ndërsa 70% e vendeve mbeten bosh
Sot (20 shtator) është afati i fundit i regjistrimit të maturantëve fitues të fazës së parë në universitet. Ajo që bie në sy është numri shumë i ulët i regjistrimeve, deri tani janë zënë vetëm 30% e kuotave të universiteteve ndërsa ka edhe degë me 0 studentë të regjistruar.
Kjo tregon dhe njëherë sesa maturantë janë lënë jashtë zgjedhjeve të tyre nga formula e re e futjes në universitet. Në listën paraprake të degës Farmaci në Universitetin e Mjekësisë nuk është regjistruar asnjë student dhe në degët Mami dhe Fizioterapi numri është shumë i ulët. Kjo do të thotë se ndryshe nga formula e vjetër meritë-preferencë (ku maturantët dilnin fitues vetëm në një program studimi, të renditur sa më lartë prej tyre), asnjë prej maturantëve që ka dal fitues në Farmaci nuk e ka dashur atë por do të vazhdojë konkurrimin për një degë më të mirë.
Kuotat e mbetura bosh pas regjistrimeve të fazës së parë
Rezultatet e regjistrimeve paraprake tregojnë dështimin e kësaj formule që nuk bën gjë tjetër veçse krijon burokraci dhe favorizon Universitetet Jopublike, pasi nga frika se mund të mbeten jashtë listave fituese, maturantët mund të regjistrohen direkt atje.
Sipas njoftimeve të MAS, aplikimet për raundin e dytë do të nisin në 23 shtator me maturantët e Tiranës. Ata do të kenë 3 ditë në dispozicion për të zgjedhur degët.
Për maturantët nga Elbasani, Peqini, Gramshi, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Kolonjë dhe Devoll aplikimi do të nisë në 26 shtator.
Në datën 27 do të aplikojnë maturantët e Fierit, Mallakastrës, Lushnjes, Beratit, Kuçovës dhe Skraparit.
Në 28 shtator do të hapen aplikimet për maturantët e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukë, Lezhë, Mirditë dhe Kurbin.
Në datën 29 shtator do aplikojnë maturantët e Vlorës, Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës dhe Përmetit.
Dhe në 30 shtator do të mund të aplikojnë maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Dibrës, Matit dhe Bulqizës.
/m.g/