Në një situatë të tillë të tejmbushur me paligjshmëri, dhunë, kërcënime e veprime aspak demokratike, shumëkush në rrjete sociale që ka dalë në mbrojtje të studentëve pyet veten se ku janë institucionet e këtij vendi dhe përse nuk po reagojnë.
Gjendja e studentëve pas ngujimit në fakultete po vjen duke u përkeqësuar, përleshjet dhe dhuna e ushtruar nga policia, e cila thyen ligjet e këtij vendi në mes të ditës, nuk janë adresuar nga asnjë institucion që duhet të garantojë të drejtat demokratike dhe ushtrimin e lirë të tyre.
Drejtuesit e Universiteteve dhe Fakulteteve janë të heshtur. Në institucionet që drejtojnë, studentët dhunohen, shtyhen, ofendohen e detyrohen të ngujohen në temperatura të acarta, për shkak të paaftësisë së tyre për drejtimin dhe marrjen në kontroll të situatës. Dekanët e fakulteteve duket se kanë braktisur vendet e punës dhe ndjekin zhvillimet nga jashtë fakulteteve. Shohin se si shkelet ligji, se si dhunohet institucioni të cilin pretendohet se drejtojnë dhe se si dhunohen studentët që në fund të fundit janë dhe paguesit e pagave të tyre.
Apatia institucionale ka kapur sigurisht dhe institucionin e Avokatit të Popullit, institucion i cili skandal pas skandali dështon në përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore. Studentët janë qytetarë të këtij vendi, që po dhunohen padrejtësisht, por ndoshta s’kanë të njëjtën vlerë dhe rëndësi për këtë institucion, sa mund të kenë tryezat e rrumbullakta të organizuara nga ndërkombëtarët.
Një reagim i vakët është parë dhe nga organizatat rinore, shoqëria civile dhe grupimet e ndryshme rinore që në një situatë normale duhet të ishin duke detyruar institucionet e këtij vendi të ishin të përgjegjshëm dhe të mbronin të drejtat e të rinjve.
Situata vazhdon të mbetet e tensionuar dhe ende nuk ka asnjë reagim.