9% e mësuesve, ngelës në provimin e kualifikimit
Cilësia në arsim është bërë shpeshherë pjesë e debateve dhe diskutimeve në vendin tonë. Rreth 9% e mësuesve, të cilët iu nënshtruan provimit të kualifikimit, nuk kanë arritur që ta marrin atë. Ndërkohë ata do të vijojnë të japin mësim, pasi provimi mund të jepet sërish. Sipas drejtorit të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gert Janaqi, mësuesit kanë të drejtë ta japin provimin e kualifikimit deri në 3 herë dhe në rast se nuk arrijnë ta marrin, është Ministria e Arsimit që vendos për fatin e mësuesit.
“Në kualifikim morën pjesë 3452 mësues, ku 299 prej tyre nuk kaluan me sukses provimin e kualifikimit. kalueshmëria është 91.3%, pra 3153 e morën, ndërsa 8.7% nuk e morën. Vjet kalueshmëria ishte më e ulët, saktësisht 87.3%”, është shprehur për gazetën “Shqip”, drejtori i IZHA Gert Janaqi.
Në një përqindje të madhe, më dobët mësuesit janë vlerësuar në lëndë të tilla si edukim fizik, arte, pasuar nga lëndët e shkencave ekzakte si matematika, fizika, kimia dhe biologjia. 55 mësues nuk kanë kaluar pjesën e parë të testit, atë të formimit të përgjithshëm, që kanë të bëjnë me dokumentacion, programet, etikën në komunikim, metodologjinë. Ndërkohë 278 mësues nuk kanë kaluar në pjesën e dytë, atë shkencore të testit, ndërsa 34 mësues nuk kanë kaluar në të dyja pjesët e testit.
Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS, u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesën e pagës, sipas tri niveleve: “Mësues i kualifikuar”, 5 vjet punë, 5% rritja e pagës; “Mësuesi specialist”, 10 vjet punë, 10% rritja e pagës; “Mësuesi mjeshtër”, 20 vjet punë, 20% rritje e pagës.