Çfarë po ndodh me komunitetin LGBT+ në Lindjen e Mesme?
Lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore për komunitetin LGBT+ janë të trishta. Skema e re që po përdoret masivisht në këto vende ka sjellë arrestimin, keqtrajtimin dhe abuzimin e shumë personave LGBT+.
Funksionarët në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore shenjestrojnë personat LGBT+ në bazë të aktivitetit të tyre online në rrjetet sociale, në aplikacionet e takimeve, etj. Forcat e sigurisë në Egjipt, Irak, Jordani, Liban dhe Tunizi targetojnë, ruajnë e mbledhin informata për personat LGBT+ për të pasur sa më shumë informacione që ti dënojnë, torturojnë, burgosin.
Human Rights Watch intervistoi 90 persona LGBT+ që kishin përjetuar në vetë të parë problematikën në fjalë si dhe 30 ekspertë përfshirë këtu dhe avokatë e profesionistë të të drejtave të njeriut. 45 persona nga të cilat 40 kanë qenë anëtarë të komunitetit LGBT+ janë arrestuar në mënyrë arbitrare dhe u është marrë telefoni me forcë ose nën presionin e dhunës.
Personat LGBT+ që kanë qenë në arrest kanë deklaruar se janë keqtrajtuar, iu është marrë telefoni, iu është hequr e drejta e një avokati dhe janë detyruar të firmosin. Ata janë shprehur se janë privuar nga ushqimi dhe uji, nga takimet me familjarët, nga shërbimet mjekësore e sociale. Nuk ka munguar as dhuna verbale, fizike, psikologjike dhe abuzimet seksuale. Disa tregojnë se kanë qenë në izolim. Gratë transgjinore liheshin në qeli me burra ku dhunoheshin vazhdimisht. Një grua transgjinore në Egjipt ka deklaruar se për 13 muaj është përdhunuar sistematikisht. Këto abuzime të të gjitha formave ndaj personave LGBT+ kanë pasoja të mëdha fizike, psikologjike, emocionale në jetën e këtyre njerëzve.