Budapest Pride sfidon ligjin hungarez të “propagandës LGBT” në gjykatë

Qeveria e Orban ndaloi ‘propagandën LGBT’ duke pretenduar se mbronte brezat e rinj nga përmbajtjet amorale. Budapest Pride besojnë se kanë të drejtë të tregojnë materiale komerciale që promovojnë ngjarjet e tyre.
Një video e gëzueshme e animuar që shfaq dy njerëz me ngjyra të ndezura duke bërë patinazh dhe duke ecur me rrota në një festival u ndalua të transmetohej gjatë orëve të ditës në Hungari në fillim të këtij viti dhe u zhvendos në orwt e natës.
Këshilli i medias i vendit e riklasifikoi atë që supozohej të ishte një reklamë për Festivalin dhe Paradën e Komunitetit të Krenarisë së Budapestit nga “reklamë për një qëllim social” në gjoja një material edukativ, dhe si rrjedhim i papërshtatshëm për fëmijët.
Në vitin 2021, qeveria hungareze e udhëhequr nga partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban amendoi ligjin për pedofilinë dhe mbrojtjen e fëmijëve për të kufizuar ekspozimin e tyre ndaj materialeve që “promovojnë homoseksualitetin”, ndryshimin e gjinisë dhe përfaqësimin e LGBT në media ose në hapësirën publike.
Shkeljet e ligjit dënohen me gjobë ose me burgim.
Tani, Budapest Pride po ngre një sfidë ligjore ndaj këtij vendimi, duke pretenduar se disa dispozita të ligjit kundër pedofilisë bien ndesh me ligjet e tjera të vendit që sigurojnë lirinë e fjalës dhe shprehjes artistike.
Në fillim të këtij viti, libraria Lira u gjobit me mbi 30,000 euro për ekspozimin e një romani grafik për të rinjtë e vlerësuar me çmime “Heartstopper” në seksionin e fëmijëve të dyqanit.
“Heartstopper”, nga autorja britanike Alice Oseman, është një histori e adoleshentëve e përqendruar rreth djemve adoleshentë Charlie dhe Nick, të cilët takohen në një shkollë Grammar vetëm për djem.
Sipas disa interpretimeve të ligjit hungarez kundër pedofilisë, këta libra duhet ose të mbulohen ose të mbështillen që brezat e rinj të korruptohen padashur nga materiale pro-LGBT nëse kalojnë ose shfletojnë librin.
Pak para se kjo gjobë t’i jepej librarisë me bazë në Budapest, librashitësi më i madh i Hungarisë, Libri, vendosi të fillojë të mbështjellë të gjithë librat që përmbajnë personazhe LGBT, në mënyrë që klientët të mos jenë në gjendje t’i hapin ato në librari.
Sfida e parë ligjore
Pas prodhimit të videos së shkurtër përpara paradës së Krenarisë së këtij viti, e cila u zhvillua në korrik, Budapest Pride e dërgoi videon në RTL – dega hungareze e kanalit komercial të njohur gjerman.
RTL ia dërgoi Këshillit të Medias për klasifikim paraprak. Në vendimin e tyre, Këshilli i Medias e konsideroi të papërshtatshëm transmetimin gjatë ditës për shkak të audiencës më të re dhe e hoqi atë nga klasifikimi si “reklamë me qëllim social”.
Budapest Pride tani po e kundërshton këtë vendim, duke pretenduar se klasifikimi “kundërshton faktet shkencore”.
“Duhet shfrytëzuar çdo mundësi për ta hedhur ligjin e propagandës homofobike dhe transfobike në koshin e plehrave të historisë. Përpjekjet për të fshirë dhe eliminuar personat lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë mund të përfundojnë vetëm në dështim”, thanë ata në një deklaratë./ HistoriaIme