Zgjedhjet në SHBA: Kush fitoi dhe kush humbi
Foto nga Huffington Post dhe Getty Images
Një ditë pas zgjedhjeve në Iowa analistët në SHBA dhe më gjerë po pyesin kush fitoi dhe kush humbi në të vërtetë.
Befasia ishte sigurisht rezultati në kampin e republikanëve ku Ted Cruz fitoi shumicën, i ndjekur nga Donald Trump që deri dje ishte në krye të të gjitha sondazheve, i ndjekur me fare pak vota më pak nga Marco Rubio, senatori i ri në moshë që po fiton sidomos votat e pakicave në anën e republikanëve.
Të shumtë janë ata që mendojnë se Trump-in e penalizoi vendimi për ta bojkotuar debatin e fundit të republikanëve, ndërsa të tjerë besojnë se Cruz mundi të fitojë sidomos për shkak se nuk i injoroi votat e evangjelistëve, por përkundrazi e bazoi tek ata fushatën në Iowa.
Por debati kryesor mbetet se kush fitoi e kush humbi në mesin e demokratëve.
“Bernie Sanders sapo ndryshoi Partinë Demokratike”, shkruan John Cassidy për The New Yorker. Ai i referohet sidomos faktit që përpara pak muajve Sanders kishte vetëm 5 përqind mbështetje të votuesve, mirëpo mesazhi i tij anti establishmentit politik dhe ekonomik jo vetëm që ngjiti tek të rinjtë, por arriti që dje në Ioëa rezultati të ishte literalisht barazim, 50 me 50.
Sanders vetë i mëshoi dje pikerisht faktit që e nisi këtë betejë pa patur financa të sigurta, pa patur struktura të mirëorganizuara dhe pa patur njohjen që rivalja e tij ka në publikun amerikan. Ai e quajti rezultatin “një barazim”.
Hillary Clinton u shfaq e lehtësuar nga rezultati (ne 2008 ajo e humbi garen ne Iowa) por nuk u shpreh qartë se fitoi. Ajo u duk e qeshur përpara mbështetësve e shoqëruar nga Bill Clinton dhe vajza e tyre. Fakti që ajo mori vetëm një grusht vota më shumë po komentohet në fakt më shumë si një fitore e Sanders se fitore e saj.
David Axelrod, ish menaxheri i fushatës së Presidentit Barack Obama e komentoi këtë garë në një këndvështrim tjetër. “Një nga problemet e Clinton”, tha ai për CNN, “është fakti që fushata e saj vërtitet më së shumti rreth saj, rreth përvojës së saj, zgjedhshmërisë dhe këmbënguljes së saj.
“Unë do të vazhdoj të bëj atë që kam bërë gjatë gjithë jetës sime”, tha ajo gjatë fjalimit që nuk ngjante si fjalim i fituesit. Sanders nga ana tjetër, rrallë herë e përmend veten në fjalime. Fushata e tij është e gjitha rreth mesazhit për t’ia marrë Amerikën bilionerëve. Dhe siç theksoi Axelrod, “është më e lehtë të frymëzosh njerëzit, veçanërisht të rinjtë, me një temë të tillë se me një CV”.
/k.p./