Vrasësi më i madh këtu është vetë shteti
Nga Mentor Kikia
Një ngjarje kriminale nuk ndodhi dje në Tiranë, sepse fati deshi që bomba e vendosur poshtë një makine të binte në tokë ende pa u shpërthyer. Autori nuk ka ende emër, e ndoshta nuk do të ketë kurrë, por sërish policia e ka drejtuar gishtin tek një konflikt i vjetër, i personit të shënjestruar, Nuredin Suli, me fqinjin e tij, familjen Sulo, në Fier. Një histori tipike shqiptare. Një grindje që nis, për shumë gjë ose edhe për hiçgjë, vazhdon dhe shndërrohet në një sagë vrasjesh, sepse këtu shteti nuk parandalon krime. Sukses quhet vetëm të identifikohet ose, në rastin më të mirë të kapet autori.
Njëri fqinj, kishte hapur një servis makinash në katin e parë të shtëpisë, thuajse duke i zënë derën fqinjit tjetër, dhe duke e shqetësuar atë dhe të tjerë banorë, me zhurmat dhe ndotjen që prodhon një servis makinash. Ishin konfliktuar shpesh mes tyre pikërisht për këtë çështje, derisa hynë në punë plumbat dhe bombat.
“Mekanikët” e vranë fqinjin që kërkonte mbylljen e servisit se i shqetësonte. Pastaj ata i vunë bombën njërit prej tyre në makinë. Pastaj ata i qëlluan me plumba tjetrit, dhe tani e kishte radhën bomba e radhës. Dhe pse ndodhi kjo? Sepse dikujt i teket të hapë servis makinash mu në shtëpi, në mes të lagjes, ngjitur me banesën e tjetrit, duke shqetësuar këdo që jetonte përreth. Kush e ka fajin? Pa asnjë dyshim që shteti, më saktë organet e pushtetit që janë përgjegjëse për licencimin e aktiviteteve të tilla. Si mund të lejohet një biznes i tillë në mjedis të banuar? A ka agjenci mjedisi që mat zhurmat dhe shkallën e ndotjes? A ka rregulla bashkia kur jep lejen për një aktivitet të tillë? Padyshim që ka. Por të gjithë ata që duhet të kontrollojnë kushtet e fillimit të një aktiviteti ekonomik, kanë marrë paratë e rryshfetit dhe ikën, duke lënë njerëzit të vriten mes tyre.
Duke dalë nga ngjarja e djeshme, po të kthejmë kokën pas, ndërsa kronika e zezë është mbushur me të tilla ngjarje, do të kuptojmë se sa shumë krime ndodhin në këtë vend pikërisht si pasojë e përplasjes mes njerëzve për probleme që duhet të gjejnë zgjidhje në zyrat e shtetit dhe pushtetit. Cili do të duronte një servis makinash te dritarja e dhomës së gjumit? Kush do të jetonte mes zhurmës dhe pisllëkut? Sa prej nesh ankohen për lokalet dhe mejhanet që pjekin qofte në katet e para të pallateve, apo bëjnë muzikë deri në mëngjes? Sa vriten për muret rrethues të shtëpive, gardhet, pemët dhe lopën që futet në tokën e tjetrit?
Në të gjitha këto, shteti ose ka lejuar të paligjshmen, sespe është i mbushur me nëpunës të korruptuar e të pacipë, ose nuk vepron, duke i hapur udhë vetëgjyqësisë. Në kushtet kur shteti, ose është palë me paligjshmërinë, ose rri e bën spektatorin, njerëzit përpiqen t’i dalin zot vetes. Njësoj si në një xhungël të egër, ku ose duhet të mbijetosh duke vrarë, ose duhet të vdesësh. Ne tregohemi shumë të ashpër me veten. Sa herë dëgjojmë të tilla lajme, themi: “Jemi popull i egër, barbar, vritemi për hiç gjë”. Po sikur të bëjmë një provë dhe të zhbëjmë shtetin në një shoqëri tjetër, cdo të bënin njerëzit? Të jeni të sigurtë se do të bëheshin edhe më barbarë se ne. Por është shteti që bën rregullatorin mes njerëzve.
Vetëm sepse kisha vendosur një çantë dore poshtë këmbëve në avion, një grua që ishte në ndenjësen para meje u ngrit e nervozuar e u ankua tek personeli, sepse canta ime i kishte prekur këmbët. Popujt e tjetër nuk janë fare më tolerantë se ne, por dinë ti zgjidhnin mosmarrëveshjet në zyrat e shtetit. Ajo në fakt nuk më ulëriti mua në fytyrë (siç mendoj se do të bënin shumë prej nesh), por u ankua. Ndërsa ne as ankohemi, sepse edhe kur ankohemi, nuk zgjidhim kurrë punë, ndaj dhe zgjidhja është arma dhe bomba. Ndërsa kërkohet autori i bombës që nuk shpërtheu dje, policia e prokuroria duhet të arrestojnë së pari kryetarin e bashkisë që ka firmosur lejen e atij servisi makinash, kryetarin e agjencisë së mjedisit që ka dhënë lejen mjedisore, atë të Tatimeve që ka lëshurar licencën e aktivitetit…
Para se të zbatojmë ligjet ndaj kriminelëve, ne duhet të fusin në burg vetë shtetin. Sepse shteti është shkaktari më i madh i vrasjeve.
Burimi: BalkanWeb