Unë zgjedh Bashkimin Evropian

Organizata “Të bashkuar pro kauzës LGBT” (ProLGBT) dhe portali mediatik i saj, Historia-Ime, kanë kënaqësinë t’ju prezantojnë me projektin I choose European Union / Unë zgjedh Bashkimin Evropian.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është mbrojtja e demokracisë dhe vlerave të së drejtave të njeriut përmes rritjes së njohurive mbi impaktin që procesi i integrimit evropian pritet të ketë në shoqërinë shqiptare.
Projekti gjithashtu vjen në ndihmë të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për fuqizimin, zgjerimin dhe diversifikimin e angazhimit të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, me fokus të veçantë në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Tre shtyllat mbështetëse të projektit do të jenë:
- rritja e vëmendjes dhe vizibilitetit për grupet vulnerabël të shoqërisë si komuniteti LGBTI+, komuniteti rom, komuniteti egjiptian dhe gratë. Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke shërbyer si vëzhgues dhe ruajtës të implementimit të standardeve ndërkombëtare në Shqipëri. Njëkohësisht projekti synon të fuqizojë rolin që organizatat dhe aktivistët luajnë në promovimin e pranimit, gjithëpërfshijes dhe nxitjes së debatit publik për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
- fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile përmes rritjes së kapaciteteve, zhvillimit dhe implementimit të projekteve kohezive dhe të qëndrueshme, që fokus kanë përmirësimin e pranimit dhe respektimit të së drejtave të grupeve të caktuar të shoqërisë. Parashikohet realizimi i një studimi hulumtues, i cili pritet të nxjerr në pah prioritete konkrete të cilat do të adresohen dhe do t’i japin mundësinë këtyre organizatave të ofrojnë shërbime më të mirë për komunitetet që kanë në fokus.
- nxitja e debatit mbi kostot, sfidat dhe përfitimet e procesit të integrimit në BE, përmes organizatës Pro-LGBT dhe portalit Historia-Ime, i cili është portali i parë dhe i vetëm i dedikuar për të drejat e njeriut që operon që prej vitit 2014. Përmes konkurseve kreative, shkrimit të eseve dhe regjistrimit të programeve podcast, projekti synon të përfshijë në debat të rinjtë mbi procesin e integrimit dhe përfitimet prej tij. Konkursi i esesë do të dedikohet për grupmoshat 15-18 vjeç, ndërsa konkursi i podcast për të rinjtë midis moshës 18 dhe 25 vjeç.
Në kategorinë Bashkimi Evropian, qytetarëve do tu jepet mundësia të informohen mbi projektin “I choose European Union” dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve tona në vazhdimësi, duke u informuar mbi procesin e integrimit europian, detyrimet dhe privilegjet që na sigurohen prej tij. Na ndiqni!