TULLA i ka Miq të gjithë
Duke marrë shkas nga fakti se “Qendra Kulturore” Tulla ka qenë objekt sulmi, në gjykimin tonë i paargumentuar dhe i padrejtë, nga ana ABC news, dhe përsëritur nga Gazeta 55, vendosëm që t’i përgjigjemi duke sqaruar opinionin publik mbi aspektet kryesore të statusit dhe operimit të saj. Gjithmonë duke menduar se jemi në një vend demokratik do të donim që kjo përgjigje të botohej në Gazetën 55 e të lexohej në një emision të ABC news. Nga njëra anë flitet për mardhënie shoqërore favorizuese dhe nga ana tjetër aludime të paqarta mbi regjistrimin në QKR, e në fund një kompliment për talentin në biznes. Ajo cka vërejmë në këtë kronikë është se në asnjë moment “Qendra Kulturore Tulla” nuk inkriminohet, nuk del në kundravajtje me ndonjë procedurë ligjore apo konflikt interesi. Ne e kuptojmë që ky nuk është një sulm i orientuar ndaj nesh, megjithatë në këtë deklaratë do t’ju bëjmë me dije as më shumë e as më pak nga informacioni të cilin kemi ndarë me gazetaren e ABC news. Kjo gazetare arriti të kthejë historinë e një hapsire të re kulturore për qytetin në një skup politik.
Hapësira fizike ku ndodhet Tulla është pronë e një famljeje të shquar Tiranase, për të cilën nuk është hera e parë që kontribuon me asetet e veta private në të mirë të interesit publik. Ishte kompania e drejtuar nga kjo familje e cila mundësoi punimet dhe ndërhyrjet e nevojshme për rregullimin e ambjentit. Për ne si grup udhëheqës i Qendrës “Tulla”, kjo duhet të përbëjë së pari lajmin e vërtetë. Në një shoqëri ku sistematikisht hapsira publike është tjetërsuar në funksion të interesit privat, historia aktuale është e pa precedent në atë që privatja i vihet në funksion publikes- konkretisht për qëllime sociale dhe kulturore. Kështu janë ngritur shumë muze dhe hapsira artistike në shumë vende të botës, që sot kanë staturë ikonike. Nga ana tjetër, shpresojmë që ky të jetë një model dhe për shumë sipërmarës të tjerë privat pasi kjo vecse fisnikëron ata dhe jetën e qytetit.
Arsyeja pse “Tulla” ka pasur aktivitet të lartë në kaq pak kohë është e thjeshtë dhe bazohet në dy aspekte kryesore. Së pari është vetë fakti se në qytetin e Tiranës ka një kërkesë të lartë për aktivitete kulturore dhe sociale dhe nuk ka hapsira të mjaftueshme që ti përgjigjen këtyre nevojave. Kjo ka bërë që artistë dhe organizata të ndryshme, të drejtohen te ne si alternativë ndaj hapsirave konvencionale. Së dyti themelimi i Tullës është produkt i marrëdhënies shoqërore dhe profesionale të artistit Kosovar Alban Nimani dhe aktivistit kulturor Rubin Beqo. Kjo marrëdhënie përfaqëson vazhdimësinë e një kulture urbane, të më shumë se një dekade, e cila është lëvruar mes skenës së përbashkët dhe të pavarur kulturore të Tiranës dhe Prishtinës. Për pasojë deri tani në programacionin e Tullës kanë qenë të përfshirë shumë artistë bashkëkohor të të dyja vendeve dhe nga disa disiplina.
Kanë qenë këto cilësi të “Tullës” që kanë tërhequr dhe vëmendjen e aktorëve ndërkombëtar, organizatave jo qeveritare apo institucioneve publike të cilat kanë organizuar dhe mbështetur thjesht me prezencën e tyre aktivitete në fusha të ndryshme. Tulla nuk ka marrë asnjë financim prej tyre, kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe ftojmë këdo që ka interes të informohet. Shpenzimet operative të hapsirës janë mbuluar nga subjekti i regjistruar bar/kafe i cili funksionon kur ka aktivitete dhe kjo është një praktikë që do ta gjeni në shume hapësira kulturore në botë.
Si përfundim “Tulla” është e hapur për këdo dhe mbi të gjitha e pavarur. Tulla ka për mision ti shërbejë publikut nëpërmjet përmirësimit të kushteve social- kulturore. Nevoja për një jetë më të pasur në këtë drejtim, duhet të përfaqësojë një qëllim të përbashkët dhe të krijojë konsensus. Të nisur nga ky parim të cilin e besojmë thellësisht, deklarojmë se “Qendra Kulturore Tulla” i ka miq të gjithë ata që si ne i ndjejnë këto problematika dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të prodhuar iniciativa të dobishme.