Tirana që nuk duam
Në një rrugicë të ngushtë pranë prapa Ministrisë së Drejtësisë, pak metra nga Sheshi Skëndërbej, jeton në një barake e vetmuar Mira, 48 vjeçarja pjesëtare e komunitetit egjiptian, së cilës Bashkia Tiranë i ka dhënë ultimatum për të dalë nga banesa deri në fund të javës, për shkak të projektit për zgjerimin e rrugës ku është ngritur dhe barakja e Mirës.
Mira na fton brenda duke na paralajmëruar të kemi kujdes mos përplasim kokën në muret e ulta të barakes apo mos të rrimë pranë mureve gjysëm të shembura nga lagështira.
E internuar familjarisht prej moshës 7 vjeçare, më e vogla në një familje prej 12 fëmijësh, që në fëmijëri Mira është përballur me vështirësitë e jetës dhe padrejtësistë shoqërore që vijojnë dhe pse regjimi shtetëror është ndërruar.
Në vitin 1983 Mira rikthehet në Tiranë së bashku me vëllezërit dhe motrat dhe në kushte ekstreme varfërie familja e saj ndahet, ku secili vijoi jetën në kërkim të mbijetesës. Në vitin 1987 Mira mbetet jetime, babai i vdes në një aksident ndërsa e ëma, e cila prej vitesh vuante nga sëmundjet e veshkave, në pamundësi për tu kuruar braktisi Mirën së bashku me vëllain më të vogël, të cilët sërish në mes të katër rrugëve përpiqeshin të mbijetonin në ndershmëri.
Prej gati 30 vitesh tashmë, Mira jeton në një barake të improvizuar. Mes lotësh na tregon historinë e dhimbshme të familjes, vdekjet e njëpasnjëshme të vëllezërve dhe motrave dhe vuajtjet që ka kaluar për rritjen e vajzës së saj dhe 3 nipërve.
Muret e barakës po shkëputen nga lagështira. Përballë një banjoje të improvizuar, qëndron aparati matës i shpenzimit të energjisë elektrike, i vetmi objekt për të cilin shteti kujdeset rregullisht që të jetë i mirëmbajtur e që faturat të paguhen në kohë.
E larguar nga skema e ndihmës ekonomike pas ndryshimeve të fundit të legjislacionit, shqetësimeve të Mirës ditën e hënë ju shtua dhe një paralajmërim për të nxjerrë nga shtëpia brenda javës, pa i dhënë një alternativë të dytë strehimi apo kohë të mjaftueshme për tu përgatitur.
E internuar në moshën 7 vjeçare, e diskriminuar prej racës dhe përkatësisë etnike, në përditshmërinë e saj Mira përballet me vështirësi të panumërta. Diskriminimin e has që nga strukturat e Bashkisë, te mjeku i familjes jo-kompetent që refuzon t’i jap shërbimin e detyruar mjekësor dhe madje dhe në spital, ku Mira ka frikë të paraqitet për shkak të shqetësimeve të shumta shëndetësorë që ajo, e bija dhe nipi kanë.
“Kudo më nevojiten para. Kam jetuar me ndershmëri dhe e kam ndërtuar këtë barakë me forcat dhe gjakun tim. Prindërit dhe vëllezërit m’i ka varrosur Bashkia. Kërkoj nga shteti një dhomë dhe një banjë, asgjë më shumë.”, deklaron Mira mes lotësh për Historia Ime.
Ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me rastin e saj, Mira kërkon mbështetje nga komuniteti, nga mediat dhe instancat shtetërore për të zgjidhur rastin e saj.
Historia e Mirës është një nga të shumtat ku persona të komuniteteve të margjinalizuar trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe nuk përfillen nga asnjë shërbim social që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptar.
Gjithçka po ndodh pak metra larg Bashkisë së Tiranës, ku rrugët po pastrohen për hir të fushatës e çdo fasadë shkëlqen si kurrë më parë. Historia e Mirës është dhe e dhjetëra të tjerëve që fshihen pas fasadave të shkëlqyeshme të ministrive e godinave që konceptin e së mirës publike e mbajnë vetëm në emër. /k.j
Vijon…