Ted Cruz, kandidati i parë në garën për Presidentin e ardhshëm të Amerikës
Ted Cruz është kandidati i parë që ka deklaruar pjesëmarrjen në garën e 58-të të zgjedhjeve për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Republikani Rafael Edward “Ted” Cruz është senator i Texas-it. Cruz është latino – kubanezi i parë amerikan që shërben në postin e Senatorit të Texas-it. Më 23 mars 2015, në një fjalim të mbajtur në Liberty University, Cruz deklaroi se do të kandidojë në zgjedhet e 2016-s për Partinë Republikane. Duke u bërë kështu kandidati i parë i deklaruar zyrtarisht.
Fjalimi i tij, i cilësuar nga shumë media amerikane si një fjalim jo fort i denjë për garën presidenciale, u fokusua në termat “imagjinoni një president që do të mbrojë shenjtërinë e jetës njerëzore dhe të mbështesë sakramentin e martesës.”
Ted Cruz është i njohur në senatin amerikan si një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të reformës së shëndetësisë, ObamaCare. Në shtator të 2013-ës ka mbajtur një fjalim prej më shumë se 21 orësh në senatin amerikan në përpjekje për të mos miratur reformën.
Ndonëse është ende herët nga gara presidenciale, “NewsMax” ka nxjerrë një sërë arsyesh që beson se Ted Cruz do të jetë një kandidat i fortë.
Së pari përmbush kushtet kryesore për të garuar. Është mbi 35 vjeç, është rezident në Amerikë prej më shumë se 14 vitesh dhe e vetmja pikëpyetje është nënshtetësia. Cruz gëzon nënshtetësi amerikane pasi e ëma ishte qytetare amerikane kur e ka sjellë në jetë, por ai ka lindur në Kanada. Deri në vitin 2013 Ted ka mbajtur dy nënshtetësi, kanadeze dhe amerikane.
Sipas Artikullit dy në Kushtetutën Amerikane, fëmijët e qytetarëve amerikanë të cilët lindin kudo në botë, janë automatikisht qytetarë amerikanë.
Arsye tjetër e fortë është origjina e tijë kubanezo – irlandeze – italiane, duke e bërë kandidatin më të fortë Republikan për të marrë vota nga këto komunitete.
Gjithashtu dalja hapur kundër ObamaCare e ka pozicionur mirë për personat e pakënaqur nga Presidenti Obama.
Por të tjera media nuk e shohin kandidat të fortë Ted Cruz. Madje Rachel Maddow në emisionin e saj e ka quajtur jo të menduar mirë vendimin për tu shpallur kandidat.
“Është e pakuptueshme në ditët e sotme të bësh lajmërime të tilla pa paralajmëruar. Është njësoj sikur të themi: O zot Beyonce paska nxjerr sot një këngë në iTunes dhe ne as nuk e dinim që po punonte për një këngë të re”.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të mbahen në 8 nëntor 2016.
https://www.youtube.com/watch?v=Bb5xSBEMDVU