Studim: Në parlamentin shqiptar mbizotërojnë diplomat e “Kristalit” dhe juristët “part time”
Në një studim të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, dalin të dhëna mjaft interesante për deputët tanë në parlament. Në një javë ku diskutimet Rama – Doshi; Meta – Berisha janë kryefjala e mediave shqiptare, po ju njohim pak me formimin që kanë përfaqësuesit tanë.
Shumica absolute e deputetëve (79) kanë mbaruar studimet e tyre bazë ose edhe të avancuara në universitetet shtetërore të Tiranës, vendin e dytë e mban Universiteti i Shkodrës dhe sigurisht i ndjekur nga (ish)universiteti privat “Kristal”. Përsa i përket diplomës në Universitetin Kristal, shumë prej deputetëve e kanë hequr kohët e fundit nga CV-ja.
Në grupin e deputetëve që kanë studiuar në perëndim, vetëm dy deputetë kanë kryer jashtë vendit të gjitha ciklet e studimeve, kurse pjesa më e madhe e tyre kanë kryer jashtë studime të avancuara, kryesisht në Francë e Itali. Dy deputetë janë diplomuar në Turqi, një në Rumani, tre në Tetovë, si dhe një numër minimal deputetësh në Gjermani, Belgjikë, Austri apo SHBA.
Në total numri i deputetëve të diplomuar në Shkodër apo Kristal, është dy herë më i lartë sesa numri i deputetëve të laureuar në universitete perëndimore.
Në listën e deputetëve bien në sy edhe tendenca e deputetëve të ardhur rishtas në politikë për të kërkuar diploma të reja universitare, ndaj rreth 10 prej tyre vijojnë studimet në disa universitete private, madje njëri prej tyre është regjistruar vetëm pak muaj më parë.
Tabela e profesioneve ilustron të dhënat mbi diplomat universitare të deputetëve. Numrin më të madh, rreth 31 deputetë, e zënë deputetët e diplomuar në juridik, por nëse analizohen diplomat dhe vitet e studimit kemi të bëjmë me një fenomen tjetër: shumica e tyre nuk kanë studiuar juridik në sistemin e ditës full time, por në sistemin part time. Madje në pesë raste deputetët deklarojnë se kanë nisur studimet në juridik në moshën 38 – 42 vjeçare dhe janë diplomuar 4 – 5 vite më vonë, kryesisht në universitete private në Shqipëri e Maqedoni ose në universitete periferike shtetërore e private këtu.
Duke parë këto të dhëna bëhet më e qartë pasqyra përse cilësia juridike e parlamentit (diskutime, etikë parlamentare, sjellje zyrtare, raportet me ligjin e rregulloren, etj) janë ende në nivele minimale të parlamentarizmit në Shqipëri.
Profesioni i dytë më “popullor” për deputetët është ekonomist ( apo nëndëgët si biznes, menaxhim, marketing, etj). Kategoria e tretë e profesioneve të deputetëve janë inxhinierët, mjekët, ushtarakët e me rradhë. Por ajo që bie në sy, nisur nga CV-të e tyre, është se pjesa më e madhe e këtyre deputetëve nuk e kanë ushtruar asnjëherë profesionin për të cilin janë diplomuar.
Interesant është krahasimi midis deputetëve të vitit 1991 dhe atyre të parlamentit aktual. Më 1991 figuronin rreth 52 deputetë me tituj shkencorë, pjesa më e madhe e tyre profesorë dhe pedagogë në universitet, kurse sot dominojnë një kategori tjetër politikanësh, – biznesmenët. Në parlamentin aktual ka numër rekord biznesmenësh: 35, shumica e të cilëve merren me fushën e ndërtimit ose me aktivitete të tjera të lidhura me ndërtimin, si industri fitimprurëse gjatë tranzicionit.
/Instituti Shqiptar i Studimeve Politike