Si po e promovon media vetëvrasjen?
Vendi është tronditur nga tre vetëvrasje në më pak se 72 orë. Ajo që mësohet nga raportimi i “pamëshirshëm” i mediave me video, foto dhe detaje personale në përpjekje për të gjetur arsyet që i çuan këta njerëz drejt vetëflijimit, është se tre viktimat kanë profile të ndryshme nga njëri tjetri.
Këta tre persona, D.D 25 vjeç, I.XH 20 vjeç në Tiranë dhe 87- vjeçarin L.P në Durrës i bashkon vetëm një fakt; ata zgjodhën t’i japin fund jetës në mënyrë demostrative.
Askush nuk mund të thotë me siguri se media është faktor kryesor që çon në shpeshtimin e vetëvrasjeve. Por raportimi mediatik dhe portretizimi i sjelljes vetëvrasëse në media mund të ketë ndikime negative që i lehtësojnë ose i japin shtysë akteve vetëvrasëse tek njerëzit që janë të ekspozuar ndaj prirjeve të tilla.
Një studim i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) i përcakton këtë “grup” aktesh vetëflijimi si “ vdekje që ndodhin brenda një zone të përcaktuar gjeografike dhe bëhen në një kohe të përshpejtuar”.
Ky studim nuk e konsideron median të vetmin fator të vetëvrasjeve të njëpasnjëshme, por argumenton se specialistët e medias në bashkëpunim me specialistët e shëndetit mendor mund të bëjnë shumë për të parandaluar këtë fenomen.
DISA ÇËSHTJE TË RAPORTIMIT MEDIATIK QË DUHEN SHMANGUR, PASI MUND TË PROMOVOJNË PËRHAPJEN E VETËVRASJEVE:
1.Raportimi i arsyes që e çoi personin në vetëvrasje
Vetëvrasja nuk është kurrë rezultat i një faktori apo një ngjarjeje të vetme, ndaj media nuk duhet të thotë se arsyeja e vetëvrasjes ishte kjo apo ajo, por duhet të shpjegojë me kujdes se ka patur një grup problemesh psiko-sociale që e çuan personin drejt vetëflijimit.
2.Raportimi i mënyrës si personi është vetëvrarë
Përshkrimi i detajeve të procedurës dhe mekanizmave që ka përdorur personi për vetëvrasje, mund të lehtësojë imitimin nga persona që janë të ekspozuar ndaj këtij rreziku.
3.Glorifikimi i vetëvrasjes ose i personave që kryejnë vetëvrasje
Raportimi mediatik ka më pak gjasë të promovojë vetëvrasjen në rastet kur shmanget pasqyrimi i elegjive publike, flamujve në gjysmë shtizë dhe përmendoreve apo përkujtimoreve publike. Veprime të tilla mund tu japin personave të rrezikuar përshtypjen se shoqëria e nderon këtë sjellje në vend që të mbajë zi për atë.
4. Fokusimi i raportimit në krakteristikat pozitive të viktimës
Empatia për familjen dhe miqtë shpesh e çon fokusin e raportimit në aspektet positive të jetës së personit të vetëvrarë. Miqtë apo mësuesit mund të tregojnë se viktima ishte një “fëmijë i shkëlqyer” apo se do të kishte një “të ardhme të ndritur”, duke shmangur kështu problemet që personi ka përjetuar.
/ L.K.