Shtatë çështje mbi parkimet nëntokësore
Nga Gentian Kaprata*
Ideja e ndërtimit të 11 parkingjeve të reja në Tiranë, si pjesë e një plani të gjerë për të rilindur kryeqytetin, cilësohet një absurditet nga urbanisti Gentian Kaprata, i cili thotë se kjo bëhet pa ditur asgjë mbi nevojat e qytetit dhe në kushte mostransparence të plotë
Akoma pa na kaluar çoroditja nga vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, për të zhvilluar një parkim nëntokësor te Parku Rinia, mësojmë se administrata Veliaj paska një projekt për të ndërtuar edhe dhjetë të tillë në zonën qendrore të Kryeqytetit. Bile ky, si një i tërë, nuk qenka gjë tjetër veçse një nga komponentët e një plani prej pesëdhjetë projektesh urbane që administrata lokale paska gati për implementim për Tiranën, nën Rilindje! Paralelisht, administrata në bashkëpunim me një arkitekt italian dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban, ka startuar procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, dhe kjo krijon një absurditet logjik. Si mund të dish nevojat dhe të përcaktosh projektet prioritare në qytet, nëse nuk ke bërë një plan urban për të!?
Kjo është njësoj si, kur shkon te mjeku, pa i thënë akoma shqetësimet që ke dhe pa dalë akoma me një diagnozë, mjeku të të japë një seri recetash me barna, për t’u “shëruar”! Në fakt, edhe kjo ndodh me mjekësinë shqiptare, kur mjeku është sekser i farmaceutikës, gjë që përkthehet se edhe planifikimi urban mund të konsiderohet thjesht si fasadë demagogjike, nga sekserët me pushtet të ndërtimtarisë. Ç’ka i lë vendin çështjes së dytë: Parku Rinia, sipas VKM numër 180, të vitit 2000 “Për shpalljen ansambël- monument kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të Tiranës”, ka barrën e ligjore të moszhvillimit, pa u vlerësuar më parë nga institucionet politike apo teknike të kulturës. Mirëpo, duket se ligji ka pak rëndësi për këshilltarët tanë bashkiakë.
Teoria që ata të jenë më të interesuar për zhvillimin ekonomik e urban sesa për trashëgiminë, mund të justifikojë veprimin e tyre. Por, nuk mund të justifikojë mosveprimin e shoqërisë civile për trashëgiminë. Kangjellat e godinës së Presidencës, nuk janë historikisht më me vlera se ky park. Apo janë? Sidoqoftë, reaguan mjedisorët. Dhe reaguan fort. Ata shprehën publikisht shqetësimin e tyre se këto ndërhyrje ndërtimore do të shkatërrojnë edhe atë pak gjelbërim apo hapësirë të hapur që i ka mbetur qytetit. Dhe kanë të drejtë! Nëse e vëzhgon listën me 11 zonat, të rezulton se ato janë ose hapësira të gjelbra, ose të hapura. Gjë që provokon pyetjen: A do kthehen pas përfundimit të punimeve, këto hapësira të gjelbra dhe të hapura, në gjendjen e mëparshme?
Nëse do të doja të isha i ndershëm, përgjigjen do ta ndaja në dy skenarë. I pari, sikur këto zhvillime të kryheshin në çdo vend perëndimor, përgjigjja do ishte një PO e madhe dhe këtu s’keni nevojë për fjalën time, sepse keni shëtitur ndër ato ‘vise’. Sipas skenarit të dytë, kur këto punime kryhen në qytetet shqiptare, mund t’ju duhet një ndihmë e lehtë. Krahasoni pamjet në projekt (letër) dhe pas realizimit, të mjedisit rrethues të çdo objekti të ndërtuar. Vështirë të gjeni ngjashmëri vizive mes tyre. Pra, përgjigjja e ndershme do të ishte: teorikisht mund të kthehet në gjendjen e mëparshme (përderisa ndodh gjetiu), kurse praktikisht jo (përderisa te ne nuk ka ndodhur asnjëherë). Mirëpo, Zv.kryebashkiaku Mazniku, është i sigurt që nuk do ndodhi kështu.
Këtë siguri e shpalli në një ‘dëgjesë publike’ me palët e interesuara. Dhe këtu jemi në çështjen tjetër: A mund të bëhet një ‘dëgjesë publike’ pasi vendimi përfundimtar është marrë?! Jo, kurrsesi jo. Nuk bën kuptim logjik të dëgjosh mendimin e publikut, i cili duhet të udhëzoj për të marr një vendim, pasi këtë vendim e ke marrë. Është më shumë se ‘tallje publike’. Mirëpo, duket se edhe talljet me publikun mund të shërbejnë për diçka. Mua më shërbeu për të kuptuar se këto parkime nëntokësore nuk po ndërtohen për rezidentët e Tiranës, por për vizitorët e saj! Qasje e gabuar kjo, jo vetëm për faktin se nuk mund të mendosh për vizitorët, më parë se për rezidentët që paguajnë taksa, por edhe për shkak të lokalizimit të gabuar të këtyre infrastrukturave publike në territor.
Nëse një administratë vendos të ulë nivelin e trafikut në zonat qendrore të qytetit, së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimit urban dhe ndërtimit të terminaleve interurbane në zonat periferike, duhet gjithashtu të zhvilloj parkime publike për vizitorët, pranë këtyre terminaleve interurbane që shërbejnë edhe si stacione për shërbimin e transportit urban. Për ta mbyllur do ndaj me ju çështjen e shtatë. Kjo vjen nga mjedisorët, të cilët nuk i kuptoj pse kërkojnë parkime mbitokësore?! Sigurisht që ata do kenë argumentet e veta, porse e parë nga një qasje më e gjerë se mjedisi, shtimi i volumeve të reja sipërfaqësore do ishte një qasje shumë e gabuar urbanistike. Veçanërisht, kur parkimet ndërtohen për rezidentët dhe shpërndahen në të gjitha njësitë urbane. /l.k./
/mapo.al