Shqiptarët e refuzuar në Gjermani provojnë fatin në Holandë
Gjatë këtij viti, rreth 45,000 shqiptarë erdhën në Gjermani për të aplikuar për azil. Megjithëse 99 për qind e këtyre kërkesave për azil në Gjermani janë refultuar, vetëm një pjesë janë kthyer në vendin e origjinës. Disa prej atyre që u është refuzuar azili në Gjermani po drejtohen për në Holandë.
Kërkesat e tyre marrin të paktën gjashtë muaj për t’u shqyrtuar, por ata kanë thuajse zero shanse për të dalë me sukses. kjo për shkak rregullimeve të BE, të ashtuquajtura të Dublinit, që thonë se vendi në të cilin bëhet kërkesa fillestare për azil është përgjegjës për të shqyrtuar kërkesën.
Në këtë rast, një kërkesë është e padobishme, pasi shumicave e azilkërkuesve shqiptarë kanë aplikuar në Gjermani përpara se të vinin në Holandë.

Jashtë qendrës së strehimit të azilkërkuesve. Foto: Vincent Triest.
Agimi, 44 vjeç, një azilkërkues nga Lezha në Shqipëri, i tha BIRN se Holanda ishte vendi i dytë në të cilin ai ka aplikuar për azil.
“Më parë aplikova në Gjermani. Ata më refuzuan mua dhe familjes sime dhe na thanë të ktheheshim në Shqipëri,” tha ai.
“Por unë nuk doja të kthehesha në Shqipëri, ndaj vendosa të vij në Holandë për ta provuar sërish,” shtoi ai.
Në dy kampe të ndryshme azili në Holandë, BIRN dëgjoi të njëjtën histori nga të tjerë azilkërkues.
Arifi, një elbasanas i tha BIRN se pavarësisht se kërkesa e tij u refuzua në Gjermani, ai erdhi në Holandë për ta provuar sërish. Ai e mori gjithashtu familjen me vete, pa pasur dëshirë për t’u kthyer në Shqipëri.
“Në Shqipëri, situata është shumë e keqe dhe unë nuk mund të qëndroj atje më gjatë, ndaj kërkova azil,” tha ai.
“Qeveria shqiptare e ka bërë jetën tonë shumë të vështirë. A duhet të paguaj më parë faturën e energjisë apo të ushqej fëmijët? Nuk mundem, ndaj u largova,” shtoi ai.
I pyetur nëse ishte në dijeni të Rregullimeve të Dublinit, që thonë se një vend është përgjegjës për ekzaminimin e një kërkese azili, Arifi tha se nuk ishte në dijeni.
Holanda po përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve nga e gjithë bota, gjë që ka rritur kohën që duhet për të procesuar një kërkesë.
Numri nga Shqipëria është rritur gjithashtu. Rreth 431 shqiptarë kanë kërkuar azil në nëntë muajt e parë të 2015, krahasuar me 86 në 2014 dhe vetëm 32 në 2013.
Megjithatë, këto shifra llogarisin vetëm azilkërkuesit shqiptarë që kanë kërkuar zyrtarisht azil. Numri total i azilkërkuesve shqiptarë të strehuar përkohësisht në objektin e përballimit të krizës përkohësisht në Holandë është i panjohur.
Normalisht, një vendim për kërkesën do mbi gjashtë muaj sipas zyrës holandeze të imigracionit IND.
Të gjithë azilkërkuesit, edhe ata që kanë kërkuar azil në një vend tjetër së pari, duhet të kalojnë të njëjtat procedura.

Foto: Vincent Triest
Për shkak të mungesës së hapësirës në qendrat e rregullta të azilit, shumë azilkërkues po akomodohen përkohësisht në vende të tjera si holle dhe stadiume sportive, të projektuara për t’u përballur me situata të katastrofave.
Kushtet në këto objekte janë shumë bazike, që është arsyeja përse përdoren vetëm për të akomoduar njerëz derisa gjendet hapësirë në qendra të rregullta.
Për shkak se këto objekte nuk janë parashikuar fillimisht për azilkërkuesit por për situata emergjente, si përmbytjet, qendrat licensohen vetëm për 72orë nga komunat.
Kjo periudhë mund të zgjatet, por është arsyeja kryesore përse azilërkuesit lëvizen nëpër Holandë.
Allaman, një 59 vjeçar, shofer autobusi që e la Shqipërinë një muaj më parë dhe që po pret të aplikojë për azil, po qëndron në qendra sportive në qytetin Tilburg.
“Në Shqipëri, nuk ka punë, edukim apo të ardhme. Ka shumë korrupsion dhe qeveria nuk bën asgjë për ne,” thotë ai.
“Nuk mund të paguaja faturat dhe fëmijët e mi nuk mund të shkonin më në shkollë,” shtoi ai.
Allamani i tha BIRN se Tilburgu ishte vendi i shatë ku e kishin çuar dhe se ai nuk kishte as idenë më të vogël se kur autoritetet holandeze do të fillonin procesin gjashtë-mujor të aplikimit.
Ai tha se ishte i shqetësuar për fëmijët, që nuk janë në shkollë për shkak të kërkesës së lënë pezull për azil.
Në të njëjtën qendër, Toni, 30 vjeç, tha se ai ishte i lodhur duke u zhvendosur vazhdimisht nga një qendër azili në një tjetër.
“Jam i lodhur dhe po kështu fëmijët e mi të vegjël,” tha ai. “Dua një përgjigje nëse do të qëndroj apo jo, sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Askush nuk po na thotë asgjë, duam vetëm të dimë se çfarë do të ndodhë,” shtoi ai.
Vincent Triest | BIRN
/l.k./