Shqipëria, perla e pazbuluar e hashashit dhe kallashit
Nga Jola Pashollari
Ka kohë që në mediat botërore qarkullojnë artikuj promovues për Shqipërinë turistike. Mediat më prestigjoze dhe websitet online të specializuar në lidhje me studimet mbi turizmin , çdo ditë nxjerrin nga një shkrim mbi vendin tonë. Bukuritë natyrore, shërbimi deri diku cilësor, çmimet e favorshme, trashëgimia kulturore dhe mikpritja janë elementët kryesorë që spikasin në shkrim.
Po a i kemi ne, vërtetë këto cilësi për të cilat çapitemi çdo herë për t’i vënë në sytë ë botës , që ata më pas të vijnë për t’i njohur e për t’i promovuar? Le ta nisim me natyrën. Edhe të vetmen gjë që na është dhënë falas pa asgjë në këmbim dhe që kishim në dorë ta ruanim sa më mirë, po e shkatërrojmë çdo ditë. Ministritë ndërrojnë njëra-tjetrën dhe pasojnë si top volejbolli sektorin e turizmit duke e pasur thjesht një aneks të tyrin në varësi për të cilin herë pas here duhet të kujtohen. Hapen zyra pa fund që kanë lidhje tërthore me turizmin po asnjëra nuk bën atë që duhet. Dhe kjo sepse duhet te ketë një ministri të posaçme vetëm për turizmin , ashtu si e kanë dhe shumë vende të tjera të zhvilluara të botës. E para industri nga e cila ne mund të prodhojmë, shesim dhe fitojmë në mënyrë të konsiderueshme, mbetet thjesht një aneks që përmendet kur vjen sezoni.
Rrugë të pashtruara që s’përfundojne kurrë, tabela sinjalizuese që mungojnë për destinacione natyrore dhe kulturore të veçanta, organizimi i fushatave të mirfillta promovimi, vendosja e standarteve të akomodimit në hotele zyrtarisht të çertifikuara, guidat profesionale, rritja e shërbimit duke shtuar numrin e profesionistëve që punojnë në këtë industri dhe ulja e taksës së turizmit në mënyrë të barazvlefshme me vendet e tjera të rajonit, janë vetëm disa nga shumë e shumë punë që duhet të ishin realizuar, ose të paktën të ishin vënë në vijë për të punuar më shumë ashtu siç bëjnë edhe vendet që kanë turizmin më të zhvilluar të botës.
Në këtë mënyrë do të ketë vërtete investitorë të interesuar që një pjesë të kapitalit të tyre do e sjellin në Shipëri për projekte dhe që ato kapitale të hidhen të gjitha për të bërë diçka vërtetë interesante dhe të dobishme për vendin tonë. Shumica prej këtyre masave që duhen marrë menjëherë , vetëm sa janë cekur ndër vite dhe disa prej tyre jane pjesë e ligjit të ri të turizmit që është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes. Por ligji gjithnjë po lihet pas dore dhe për ta votuar nuk është kurrë momenti i duhur. Vetëm pjesmarrja në panairet ndërkombëtare të turizmit nuk mjafton për të vendosur dhe për të folur për standarte të turizmit.
Për këtë arsye bukuritë natyrore cilësohen shpesh si të pazbuluara për sytë e turistëve sepse për t’i zbuluar duhet të kalojnë në rrugë me pluhur , të qëndrojnë në hotele të pista dhe të paguajnë trefishin e vlerës, vetëm sepse janë të huaj.
Vijojmë me trashëgiminë kulturore. Berati , Gjirokastra, Kruja , Butrinti , bëhen shpesh pjesë e guidave sepse koha ka dashur që shtëpitë e vjetra, muzetë dhe sitet arkeologjike të mbijetojnë. Sepse për autoritetet koha e duhur per të ndërhyrë për restaurim është momenti kur këmbët e një shtëpie karakteristike apo monumentale të fillojnë të dridhen dhe copat e çatisë të nisin të biejnë.
Por ka edhe më keq. Në mes të kryeqytetit sitet e trashëgimisë zgjidhen për t’u flijuar për hir të ndërtimit atje të një pallati të ri që do të shtonte edhe më shumë beton për të “zbukuruar” vendin. Por të gjitha këto nuk kanë rëndësi për turistët në momentin që ata nuk kanë asnjë person adapt që t’i shoqërojë në këto site dhe ku ata të kenë mundësi të njohin edhe përtej fasadës.
Le të shohim mikpritjen. Po, një prej vlerave të trashëguara prej shekujsh tek shqiptarët. “ Albania , the country of hospitality” do të thoshte blogu “evsbeyondbarriers” në një artikull të zgjeruar për turizmin tonë , bërë në vitin 2012. Po a jemi ne vërtetë vendi i mikpritjes? Në kohën ku bëhët një luftë e vërtetë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës për të mos lejuar kultivimin e kanabisit dhe kur qëllohen me snajper policët në mes të ditës, nuk të mbetet gjë për të thënë në lidhje me sigurinë në vend.
Kjo siguri sfumohet më në fund me rastin më të rëndë të shënuar ndaj turistëve të huaj , vrasjen ne fshatin Prekal të Dukagjinit të dy turistëve çek nga vetë banorët e zonës. Atje ku vete Leke Dukagjini vendosi mikpritjen si vlerën më te fortë që kemi si vend, atje kjo vlerë thyhet dhe bëhet grimca grimca. Aq më tepër kur kujton që ky nuk është rasti i vetëm kur sulmohen turistët çek në vendin tonë. Ende nuk dihet se çfarë bëhet me fatin e 3 turistëve çek që u zhdukën në vitin 2001 sërish në Theth. Dyshohet se janë vrarë, por nuk dihet se ku janë trupat e tyre.
E pra, a nuk është e natyrshme që të bëhen analogji me aktet terroriste që po i lufton e gjithë bota dhe që është një ndër plagët e kohës moderne. A ka ndonjë ndryshim nga akti terrorist i të riut që vrau me kallashnikov 38 turistë të pafajshëm në plazhin e Sousse në Tunizi vetëm para pak ditësh dhe sulmit me kallashnikov të dy turistëve çek Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe , në Dukagjin? Asnjë ndryshim. Atëhere duhet të ndalemi së thëni jemi një vend i sigurtë , garantojmë se nuk kemi përfshirje nga terrorizmi. Nuk duhet të presim të vijë ndonjë i huaj e të hidhet në erë që të ndihemi të kërcënuar , kur në fakt terrorizmin e kemi të ulur këmbëkryq në vendin tonë, e na vjen nga brënda. Kur nuk garantohet jeta e turistit , jeta e njeriut, nuk mund te flitet për standarte. Dhe kur kjo gjë ndodh në mes te sezonit turistik, qe shihet si kulmi i arritjeve në turizmin e vendit tonë, dukeqënëse nuk mund të flasim për turizëm gjithëvjetor, atëherë mund t’i themi lamtumirë shpresave që kemi për ta arritur mbi 1.3 miliard dollarë fitime këtë vit nga industria e turizmit. Këto nuk janë mënyrat e duhura.
E në fund ajo që vret është indiferenca. Asnjë autoritet nga Ministria e supozuar e Turizmit nuk del menjeherë të japë një deklaratë , qoftë edhe për të thënë ngushëllime për familjarët e viktimave. Të paktën deri në këtë moment që unë po shkruaj asnjë nuk ka dalë. Epo në këtë rast le të propozojmë këtë sllogan për turistët e rinjë që do të vizitojnë Shqipërinë. “Destinacioni Shqipëri, Zoti ju ruajtë!”