Shqipëria një turp në të gjithë rajonin
Në ka një vend që po ndot anë e mbanë bregdetin e Adriatikut dhe Jonit, ai vend jemi ne. Me papërgjegjshmërinë tonë ndaj të bukurës, natyrës dhe trajtimin e lumenjve si kosha mbeturianash jemi bërë turpi i Ballkanit.
Nuk është hera e parë që na nxihet faqja në mediat botërore. Shqipëria ka qenë gjithmonë problem me mbetjet jo vetëm për veten, por edhe për vendet e rajonit. Mjafton të kujtojmë rastin e vitit 2010 ku në Kroaci shpërtheu alarmi për shkak se brigjet e këtij vendi u ndotën me produkte që mbërritën nga Shqipëria. Kroacia na hodhi në gjyq dhe fitoi plot 4 milion dollarë në kurriz të papërgjegjshmërisë kolektive për të hequr mbetjet nga pragu i shtëpisë e për t’i hedhur në lumë.
Dihet më pas itinerari. Të gjitha mbetjet shkojnë në det e më pas nga rrymat përhapen gjerësisht gjatë rivierës, Adriatikut e me rradhë. Ky është një shkatërrim që i bëjmë turizmit tonë, imazhit të vendit, mjedisit, natyrës, ekonomisë, rrezik për jetën dhe shëndetin e shumë dëme të tjera. E pse? Se dimë të luajmë mirë pasash dhe të pasojmë fajin sa nga një drejtori në tjetrën, nga një institucion në tjetrin derisa të humbasin përgjegjësit, fajtorët dhe mundësia e zgjidhjes përgjithmonë.
Dje vendosëm në formë simbolike një pritë në Bregun e Lumit, thjesht për të thënë këtë:
“Nëse duam ta zgjidhim këtë turp, zgjidhje ka. Qoftë kjo një rrjet teli 3 metroshe e vendosur nga vullnetarët, qoftë një pritë e mirëfilltë në çdo lum që po përdoret rëndomt në Shqipëri si kosh mbeturinash. Nuk shpëtojmë asnjëherë nga ato që hedhim në lumë. Lumi na i kthen mbrapsht me 101% interes”.
Helmet shpërndahen kullotave, buzë lumit aty ku kullosin lopa, dhia dhe bagëtia, e qumështi është i helmuar, gjalpi djathi po ashtu. Jo më pak ndotja e detit dhe peshqve që kapardisemi restoranteve sikur po hamë shendetshëm. Me e rrezikshme akoma është një plazh plot me shiringa, age dhe mbetje spitalore.
Një krim i vërtetë që rrezikon jetët e çdo fëmije në plazh. Po jemi një turp në të gjithë rajonin për menaxhimin e mbetjeve, kulturën e ulët mjedisore dhe mosveprimin e shtetit. BOLL! /m.g
Burimi: Ecovolis