Shënim/ Pse kaq zhurmë për eskortën e Nishanit dhe anjë fjalë për 69 betonieret?
Presidenti Bujar Nishani vizitoi sot vendin ku prej 28 ditësh, aktivistët e grupimit “Qytetarët për Parkun” vazhdojnë qëndresën e pandërprerë kundër ndërtimit të Këndit të Lojrave.
Vëmendja e disa mediave u zhvendos nga qellimi i vizitës, duke u fokusuar në një detaj të saj. Eskorta e Presidentit shkeli ligjin duke kaluar në zonën pedonale ku nuk lejohen makinat.
Më 7 prill, qendrova një ditë me protestuesit në parkun e liqenit, për t’u njohur më shumë me kauzën e tyre e për ta pasqyuar atë në një reportazh. Gjatë qëndresës time aty kam parë 4 betoniere, 3 makina të tonazhit të rëndë, madje dhe 3 automjete civile që kanë shkelur në zonën pedonale krejtësisht të pashqetësuara.
Dje në faqen e grupimit “Qytetarët për Parkun” është publikuar videoja që paraqet betonieren e 69-të që shkel zonën pedonale për të derdhur beton në Parkun e Liqenit. Ky fakt ka marrë shumë pak ose zero vëmendje nga një pjesë e mediave.
Shkelja e rregullit që ndalon makinat të kalojnë në zonën e parkut është absolutisht e dënueshme, për më tepër kur bëhet nga një përfaqësues i lartë i shtetit.
Por reagimi i menjëhershëm i mediave të bën të mendosh për dy gjëra, ose mediat janë krejtësisht të painformuara rreth asaj që po ndodh në parkun e liqenit, ose për arsye të tjera, i kanë mbyllur sytë 28 ditë, duke i hapur vetëm në çastin kur ka kaluar eskorta e Presidentit.
Video, 7 prill, betonierja 55 dhe 56 që shkel në park në 23 ditë
/l.k./