Rrëfim dedikues: Unë jam me autizëm…
Nga Denada Toçe
Në vështrimin e kthjellët që i hedh herëherë botës, si për t’i përtypur kuptimin e saj dredharak, marr mesazhin e njëjtë se ngjyrat më të vërteta i gjen te fëmijët, ata që unë preferoj t’i quaj yje në tokë. Pastaj mendoj sa bukur duken të gjithë ata bashkëshoqërues social të botës sime, që nuk e kanë braktisur asnjëherë fëmijën brenda tyre. “Lodrojnë” në spektrin e ylberit, i cili si në një det të hapur përpin të gjitha ngjyrat e natyrës, pa bërë dallim midis tyre. Në këto mendime, më këputi malli për fëmijën që unë kam qenë. Mësova ta dua akoma më shumë sot, në adultin që përfaqësoj, kur kuptova se, e ndryshme dhe e ngjashme sikurse isha, vendin tim në këtë botë nuk mund dhe nuk kishte të drejtë të ma rrëmbente askush. Ndërsa personaliteti im formohej ditaditës, një gjë do të kisha dashur që bota e adultëve të më tregonte: UNË ISHA NJË FËMIJË I VEÇANTË, UNIK, I NDRYSHËM DHE I NGJASHËM…
Ky është misioni që i kam vendosur vetes sime kur zgjodha psikologjinë dhe konkretisht punën me fëmijët, për t’u rritur dhe ecur së bashku me ata, dhe për t’i parë teksa mësojnë dhe besojnë rreth shkëlqimit të tyre unik, brenda atij spektri ngjyrash që bota ka, e që të gjitha janë të rëndësishme që kjo e fundit të ekzistojë. Parimisht besoj se një fëmijë i rritur “shëndetshëm” krijon një adult të “shëndetshëm”. Këto ishin mendimet që më udhëhoqën në vendimin për t’ju treguar historinë time: Kur isha fëmijë mendoja si fëmijë, gëzohesha dhe lëndohesha si fëmijë, besoja dhe shpresoja si fëmijë. Në krahët e shoqërisë ishte e lehtë të besoje se i doje njerëzit që të rrethonin dhe e vështirë të gjeje vendin tënd midis tyre. Sikurse frutat dhe perimet e modifikuara me helme, më duhej të mendoja se DUHET të isha “njësoj” “e mirë” me të gjithë fëmijët e tjerë, për të qenë “normal” dhe e pëlqyeshme, të gjithë duhet të “shkëlqenim”, edhe pse dukej qartë që metoda për të mbajtur energjinë e ndezur brenda nesh ishte e dyshimtë. Ndaj dhe yjet në tokë ishin të shuar. Përgjigjet për këtë? Nuk e di nëse përgjigjet e mia janë të “sakta”, por mund t’ju rrëfej për to sikurse unë i kam kuptuar: shoqëria jonë prej kohësh vuan nga sindroma e “fëmijës së mirë.” Fëmijët e “mirë” janë ata që sillen “mirë”, që flenë natën pa qarë shumë kur janë bebe, që hanë ushqimin që u ofrohet pa bërë naze dhe që nuk ndoten në të mbathura apo në shtrat pas heqjes së pelenës. Fëmijët e “mirë” janë ata që janë të qetë, fjalëpakë dhe që u binden prindërve, fëmijët e “mirë” janë ata që luajnë pa thyer e zhuritur gjë prej gjëje. Fëmijët e “mirë” janë ata që vrapojnë pa u rrëzuar. Fëmijët “e mirë” janë ata që nuk qeshin dhe qajnë me zë të lartë, ndonjëherë edhe që nuk qeshin e qajnë fare. Fëmijët “e mirë” janë ata që nuk presin prej të tjerëve, por i bëjnë gjërat vetë. Fëmijët “e mirë” janë ata që i gjejnë përgjigjet te vetja dhe nuk pyesin shumë “pse?”. Fëmijët “e mirë” janë ata që shkojnë në shkollë, duan apo duhet dhe të marrin 10n, të dalin në tabelën e nderit dhe në fund të “nderojnë” prindërit e tyre. Fëmijët “e mirë” janë ata që janë të mirë në matematikë, shkrim, këndim, kërcim, aktrim, recitim etj. Fëmijët e mirë janë ata që thonë të vërtetën, edhe pse prindërit e tyre u bëjnë premtime që nuk arrijnë t’i mbajnë. Si përfundim, fëmijët “e mirë” janë modelet tipike ideale, që unë i quaj “tipikisht atipike”.
Ne jemi tre fëmijë në familje, unë fëmija i dytë. Vëllai im i madh qëndronte si “ideal” që shumë prindër do të kishin dashur. Të mos keqkuptohemi në këtë rrëfim, të tre ne fëmijët jemi rritur me shumë dashuri dhe mirësi nga prindërit tanë, dhe vazhdimi ka të bëjë pikërisht me këtë: vëllai im i madh kishte dhunti të cilat ishin të admirueshme për të gjithë familjen dhe model për vëllezërit e tjerë. Jam krenare për të çdo ditë! Nga ana tjetër, unë isha një fëmijë jo aq “i urtë”, i mbarë, fjalëpakë, përkundrazi, unë isha fëmija që nuk ndiqja rregullat siç DUHEJ: nuk arrita të vrapoja pa u rrëzuar, të flisja pa u nxituar, të pyesja pa “bezdisur” veshët e adultëve, të ankohesha për gjërat që nuk më pëlqenin, të haja pa u pikuar, të ikja pa thënë mirupafshim, të shkruaja pa shkarravitur, dhe të lexoja pa u gabuar. Te kjo e fundit nuk arrija të dalloja mirë disa prej shkronjave dhe numrave që, dreqi ta hajë sa të ngjashme ishin! Por askush nuk arrinte të kuptonte “PSE”në. Thjesht unë nuk isha fëmija “i mirë”. Sa shumë më deshën prindërit e mi, e përqafuan menjëherë ndryshimin tim, sikurse përqafuan ndryshimin e vëllait tim më të vogël, të fëmijës së ndrojtur edhe në mendim, edhe në emocione. Për prindërit tanë ne ishim thjesht temperamente të ndryshme dhe të bukura në ngjashmërinë tonë. Humbja e shkëlqimit tim filloi me të gjithë ata që gjallërinë time e konsideronin të qëllimshme dhe atipike, jo të zakontë. Pamundësinë time për të dalluar shkronjat dhe numrat e ngjashëm, si paaftësi dhe dembelizëm për të mësuar, shpërqendrimin tim si mosinteresim, papërgjegjshmëri etj. Me fjalë të tjera, unë isha një fëmijë “i keq”, që shpesh ne e dëgjojmë me epitetin “mistrec”, “shejtan”, “kokëfortë”, “i pabindur” etj. Sa do të doja të isha edhe unë njëri prej tyre, një fëmijë “i mirë”! Ky mendim është njësoj sikur ngjyra e verdhë të thotë: “sa do të doja të isha e kuqe!” Në atë kohë, e kisha të vështirë të mendoja se duhet dhe e verdha për të bërë ylberin. Ndërsa humbja shkëlqimin tim, vendosa të isha fëmijë “i mirë”, sikurse bota priste që unë të isha. Eh çfarë mundimi!…
Në fund ia dola që të gjithë të ishin krenarë për mua. Të gjithë shikonin “shkëlqimin” tim, ndërsa unë shikoja që energjia brenda meje kishte kohë që ishte shuar. Fëmija brenda meje tashmë ishte kthyer në një qenie që i përkiste një bote të ndërmjetme, midis të rriturve dhe fëmijës. Ndieja se përgjegjësitë më ishin shtuar dhe kësisoj më duhet t’i menaxhoja. Fëmija “i mirë” që, jo vetëm nuk i sillte më probleme të rriturve, por edhe që mundësisht i zgjidhte në vend të tyre problemet. Fraza që dëgjoja më së shumti, ishte: “sa e pjekur është kjo vajzë!” U desh pak kohë, ndërsa ankthi më pushtoi si një uragan i çmendur për të më shkundur mirë dhe për të më ndalur vrapin e verbër që kisha mësuar të bëja me mjeshtëri. Që nga ajo ditë, u ndala dhe vetëm atëherë dëgjova thirrjen që vinte nga brenda meje, të atij zërit të vërtetë dhe të pastër, të një fëmije që kërkonte shpëtim prej kthetrave të skemave tipikisht atipike, që më mësuan aq mirë t’i përdor, atë ditë gjeta lirinë. Atë ditë u gëzova si fëmijë, qava si fëmijë, ndjeva se takova vetveten dhe e përqafova si një fëmijë që të hedh krahët e vogla me gjithë forcë dhe çiltër të tregon se sa të do. Takimi im me veten më mësoi të vërtetën rreth asaj që unë e kisha humbur, pasi mendja ime fëmijërore padashur nuk arrinte ta kuptonte. Kur isha fëmijë, mendoja si fëmijë! Në vështrimin e kthjellët që i hedh herëherë botës, si për t’i përtypur kuptimin e saj dredharak, marr mesazhin e njëjtë se ngjyrat më të vërteta i gjen te fëmijët, ato që unë preferoj t’i quaj yje në tokë. Këtë e mësova SOT, kur u takova me fëmijën brenda vetes sime. Ata të gjithë kanë një energji që bën të shkëlqejë ylli që unikisht përfaqësojnë. Nuk janë as të mirë dhe as të këqij, janë thjesht unikisht të ndryshëm. Tipik apo atipik, me dhunti apo aftësi të ndryshme, ata janë të gjithë përfaqësues të së njëjtës botë sociale. Mund të mësojmë gjëra të mrekullueshme përmes tyre, ato që nuk t’i mëson kurrkush. Mbi të gjitha, fëmijën që shumëkush e ka humbur, mund ta gjejë sërish, e pakta të kujdesej që pasardhësit e tij të mos e humbisnin. Ne kërkojmë që fëmijët të jenë “të mirë”, ndonjëherë dhe “perfektë”.
Unë po jua kërkoj sot: do të humbisni fëmijën më të mirë që ju keni pasur mundësi të kishit, fëmijën e dëlirë në unicitetin që e karakterizon. Të paqtë ata do të zhvillohen dhe do të shkëlqejnë si yje në tokë! Jo vetëm kaq, por mësoni dhe informohuni për të gjithë ngjyrat, llojet e ndryshme të fëmijëve që kjo botë ka. Përqafojini dhe ata fort, se kështu do t’i përqafojë edhe fëmija juaj. Më parë, mësojeni fëmijën tuaj t’i përqafojë se kështu do të mësojë edhe ai fëmijët e tij. Kështu do të mësojmë të gjithë se bashku se sa vlerë ka të japësh dhe të marrësh (kjo është më shumë në kthim) dashuri… Duket si klishe? Nëse ju duket kështu, është se ndoshta nuk e keni provuar asnjëherë ju vetë… Unë e përjetoj çdo ditë këtë ndjesi dhe jam krenare.
Fëmija brenda meje më mësoi t’i kuptoj më mirë fëmijët e ndryshëm, aq më tepër ata në vështirësi. Kur vështroj një fëmijë që nuk arrin të vendosë marrëdhënie sociale me të tjerë, nuk është se nuk i do të tjerët apo se është indiferent, nuk di të sillet etj., thjesht nuk mundet të njohë kuptimin e botës për shkak të vështirësisë që ka. Një fëmijë që nuk arrin të thotë emrin e tij, të kërkojë se çfarë do, t’ju pyesë ju se si e keni emrin dhe se çfarë ju pëlqen, nuk është se nuk do të flasë, thjesht nuk arrin të komunikojë për shkak të të qenët ndryshe në aftësitë e tij të komunikimit. Është thjesht një fëmijë në vështirësi për të përdorur gjuhën si pjesë të komunikimit. Një fëmijë që përplas duart në kokë, që dëmton veten, që ngre zërin në publik, që dëmton ndonjëherë edhe të tjerët, jo se është fëmijë “i keq”, thjesht është një fëmijë në vështirësi për të ndërtuar një komunikim me botën dhe e shpreh atë me sjellje, të cilat bien ndesh me kodet e komunikimit, deri sa mëson t’i përdorë ato në funksion të tij. Ai është thjesht një fëmijë ndryshe. Ai është thjesht një fëmijë me autizëm. Kjo dëshmi u dedikohet të gjithë fëmijëve që janë si unë dhe si ju, të ndryshëm, por kaq të ngjashëm.
Ky rrëfim u dedikohet të gjithë fëmijëve, të cilët unë takoj çdo ditë dhe qëndroj me ata në krah, fëmijëve me autizëm. Fëmijët me autizëm janë pjesë e së ngjashmes, pjesë e ylberit vezullues. Fëmijët me autizëm nuk janë të frikshëm dhe as të “këqij”, janë thjesht një fëmijë më shumë për t’u dashur. Na duhet të veprojmë duke i pranuar, të afrohemi për të qëndruar, t’i besojmë për të mësuar, t’i takojmë për të luajtur, përqafojmë për t’i dashur, jetojmë me ta për t’i dhënë shkëlqimin që meritojnë, dhe më pas do habitemi nga shkëlqimi që kanë, brenda spektrit të ylberit që ata të gjithë së bashku krijojnë. Ylberi është simbol për të kujtuar se toka nuk do të përmbytet më asnjëherë, sipas dëshmisë në Bibël. Unë po e huazoj këtë dëshmi biblike, duke mos ia hequr aspak shenjtërimin domethënës që ka, për t’ju ftuar ta ndërtojmë ylberin me fëmijët që sjellim vetë ne në këtë tokë, dhe i kujtojmë vetes se nuk do të ketë më “përmbytje” të fëmijës, të cilin të gjithë ne e kemi brenda vetes sonë. Ne të gjithë jemi unikë dhe askush nuk ka të drejtë ta rrëmbejë legjitimitetin e kësaj dukurie. Ndaj unë sot them: Unë jam me autizëm… po ju?
/Panorama