Replikë me shkrimin e Viktor Malajt
Pavarësisht se kushdo ka të drejtë të ketë mendimin e vet, shkrimi i autorit Viktor Malaj “Eksportimi i perversitetit dhe heshtja e klerit” botuar në DITA në 13.06.2015 bazohet në informacion te pasaktë mbi të cilin pastaj thurret gjithe mendimi. Shkruan z.Malaj:
“Megjithëse koncepti dhe gjykimet e shoqërisë njerëzore rreth këtij fenomeni kanë qenë të ndryshëm, bie në sy fakti që, përgjithësisht, njerëzimi, asnjëherë nuk i ka gjykuar marrëdhënie të tilla si normale dhe aq më pak t’i ketë glorifikuar.”
– E pasakte! Cila histori e njerëzimit? Se psh, në Athinën e lashtë, me Sokratin (lexo “Simpoziumi”) dhe shumicen e filozofeve greke ndodhte krejtësisht e kundërta e kesaj që thotë ky autor.
“Sondazhet e bëra në shumë vende të botës kanë treguar se shumica e popujve e konsiderojnë homoseksualizmin si sëmundje”.
– Cilat sondazhe?! Është e vërtetë vetëm për vende si Rusia dhe te gjitha vendet e ndikuara nga ajo, si dhe për vendet e Afrikës (me perjashtim te vendit më të zhvilluar afrikan si Afrika e Jugut), si dhe disa ishuj në Paqësor. Eshtë e vërtetë se edhe në disa vende në Ballkan, si Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri konsiderohet akoma si sëmundje. Por kjo nuk është për t’u mburrur. Ja psh, këtu ke nje harte vetëm të Europës me ngjyra ku tregohet perceptimi për LGBT por dhe situata ligjore dhe aty mund të bëhet dallimi i qartë:
http://www.ilga-europe.org/rainboweurope
“Ekzistenca e prirjeve të tilla seksuale tek një përqindje fare e vogël individësh konsiderohet prej tyre (mjekeve) si një devijim, ndërthurje e çrregullimeve patologjike të mendjes dhe trupit”.
– Totalisht e pasaktë! Arsyeja pse OKB ka shpallur 17 majin si Ditë Nderkombetare Kundër Homofobisë ka të bëjë pikërisht me faktin që komuniteti mjekësor serioz nuk e konsideron më sëmundje, por një “variant natyror të seksualitetit njerezor”. Kështu mendojnë: Akademia Amerikane e Pediatërve, Organizata Amerikane e Psikologëve, Organizata Amerikane e Psikiatërve, Organizata Kombetare e Punonjësve Sociale, Kolegji Mbreteror i Psikiatreve, etj.
“Megjithëkëtë, për një kohë të gjatë marrëdhëniet homoseksuale janë vlerësuar dhe, madje, vazhdojnë ende të vlerësohen si vepra penale edhe në disa prej këtyre vendeve (perendimore)”.
– Totalisht e pasaktë! Nuk ka asnje vend perëndimor ku aktet homoseksuale të jenë vepër penale. Kjo eshte gjeja me absurde qe mund te shkruhet! Madje në 14 shtete europiane sot martesa gej është e legalizuar: Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Islandë, Irlandë, Luksemburg, Hollandë, Norvegji, Portugali, Slloveni, Spanjë, Suedi, Britani e Madhe (Angli, Uells, Skoci, por jo Irlanda e Veriut).
Ndërsa bashkëjetesat (apo unionet civile) në: Andora, Austri, Kroaci, Ceki, Greenland (territor autonom i Danimarkës), Estoni, Gjermani, Hungari, Lihtenshtejn, Malte, Zvicer. Ne Shqipëri nuk është më vepër penale që nga viti 1995.
Pastaj pjesa fetare është muhabet tjetër. Por edhe ajo e pasakte. Kane folur kundër nesh edhe Kisha katolike në Shqipëri, edhe Komuniteti Musliman, edhe ortodoksët edhe Vëllazeria Ungjillore.
Për mendimin tonë është një shkrim ku në çdo dy-tre rradhë ka nga një gënjeshtër.